Gjoba dhe ndalim të celularëve në stërvitje. Këto janë rregullat e reja që Pep Guardiola ka vendosur për lojtarët e Manchester City.
Të fitosh kampionatin nuk është e lehtë, por të ruash titullin kampion është shumë e vështirë, aq më tepër në Premierleague kur pretendentët për trofeun janë disa. Për këtë arsye trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, kërkon që këtë sezon ekipi i tij të tregohet më i fortë dhe lojtarët më të përqëndruar.
Tekniku spanjoll ka njoftuar një sistem gjobash për të ulur euforinë e mundshme të futbollistëve. Mediat britanike raportojnë se trajneri ka ndaluar mbajtjen e celularëve në ato që në klub quhen ambiente pune, në fushat e stërvitjes, në dhomën e analizës dhe në sallën e ngrënies.
Guardiola ka nisur edhe të gjobisë lojtarët për vonesa në stërvitje apo mbledhjet e ekipit. I fundit me këtë masë ishte Benjamin Mendy. Sezonin e shkuar, Manchester City e përfundoi sezonin me rekordin e 100 pikëve të plota, ndërsa kërkon që të fitojë titullin për herë të dytë një kufi i pashkelur prej një dekade në Premier League.
Thuhet se masat e reja nuk janë pritur fort mirë nga skuadra që mësoi se Leroy Sané u la jashtë formacionit për ndeshjen me Newcastle pasi Guardiola e vlerësoi si të dobët performancën e tij gjatë seancave stërvitore./abcnews.al