Zbardhet dëshmia e shefit të urgjencës për rastin e Albana Saliçe, 51-vjeçares që humbi jetën në Korçë. Mjeku Çelnik Fetallari ka deklaruar para uniformave blu se zonja ka ardhur në urgjencë për të marrë mjekim pasi nuk ndihej mirë.
“Erdhi në urgjencë me dhimbje gjoksi. I bëmë të gjitha kontrollet. I bëmë EKG e zemrës, i doli shumë mirë. S’kishte probleme. Edhe në analizat, doli mirë. Nuk kishim pse ta mbanim në spital pasi u qetësua.”
Mësohet se shefi i urgjencës e ka mohuar faktin e dhënies të ndonjë injeksioni siç u shpreh bashkëshorti i viktimës. Më konkretisht ai nuk ka folur për asnjë injeksion ose gjilpëre të bërë ndaj viktimës. Dyshimet paraprake për vdekjen e 51-vjeçares lidhen me problemet kardiake, dhe faktin që ajo mund të ketë pësuar infarkt.
RASTI
51-vjecarja rreth orës 3 të mëngjesit ka pasur probleme me tensionin dhe bashkëshorti i saj ka telefonuar 127.
Autoambulanca e mori gruan në banesë dhe e çoi në urgjencën e spitalit të Korçës. Qëndroi dy orë dhe mjeku roje i tha që mund të kthehej në shtëpi. Bashkëshorti i saj, Edison Saliçe thotë se gruaja humbi jetën 3 orë më pas, akuzon mjekët për neglizhencë.
“I bënë një gjilpërë dhe EKG, i doli mirë. Ikëm në shtëpi dhe fjetëm gjumë, gruaja nuk u zgjua më. Dyshoj se vdekja i erdhi nga gjilpëra. Mund ta kishin mbajtur,” tregoi ai.
Saliçe pret përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe më pas thotë se do të denoncojë shefin e urgjencës, Çelnik Fetallari i cili ishte mjeku roje. /abcnews.al/