Gruaja e braktisi, babai me sëmundjen e rëndë rrit i vetëm vajzën! Elvisi i premton: Na ke neve në krah

schedule21:43 - 4 Qershor, 2022

schedule 21:43 - 4 Qershor, 2022

Me të mbërritur në Tiranë, Lindoni me Margaritën takojnë Elvis Naçin. I vetëdijshëm për sprovën e madhe që i ka rënë mbi shpatulla Lindonit, Elvisi i premton atij dhe Margaritës, se do të bëhet gjithçka është e mundur për shëndetin e tij.

Elvisi: Si je ti shpirti i vogël? Marshalla, sa e bukur që je. Keni një sprovë të madhe, por të gjithë bashkë do të përpiqemi, me çfarë të jetë e mundshme, do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Ju thatë diçka të bukur, se ana psikologjike ka të bëjë shumë, e kur shikon që shqiptarët janë pranë teje.

Lindoni i tregon Elvisit se shumë shqiptarë e kanë telefonuar, madje deri nga Australia e largët.

Lindoni: Jam mallëngjyer, kur më kanë marrë njerëzit në telefon, nuk i kam numëruar dot. Emigrantë, veçanërisht nga Gjermania. Deri nga Australia më kanë telefonuar. U kam thënë se më ka marrë në patronazh Elvis Naçi, kam fatin e madh.

Elvisi: Ka njerëz shumë të mirë, me zemrën e madhe. Të them të drejtën, mund t’i biesh dhe shkurt e të thuash, çmë duhet mua, por ata që na janë bashkëangjitur, janë ata që gjithmonë thonë, çfarë mund të bëjmë dhe ne. Kjo është diçka e bukur, e shqiptarët asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë. Forca e jonë, është forca e tyre.

Kemi qenë në shumë familje, por kjo specifikë e juaja… i tregova Fatmës, nuk ka mundësi, ta shohim mirë si rast. Pyetëm e na treguan, është e vërtetë, që ju ishit prekur nga një sëmundje e se vajza juaj, kjo princeshë, kujdesej për ju. Kemi mbetur pa mend. Tani Margarita nuk do të kesh vetëm babin, por të gjithë ne. Mos harroni diçka, vështirësitë që ju keni, Zoti i sheh.

Gjatë bisedës me Elvisin, Lindoni i tregon për një xhup të vogël që e mban prej vitesh, që në kohën kur e bija ishte fare e vogël dhe ai detyrohej ta merrte Margaritën në punë. Lindoni punonte deri para pak muajsh si shofer autobusi.

Lindoni: Kam një xhup, që do ta ruaj derisa të jem gjallë. Xhupin e vajzës, një xhup të kuq. Autobusi ishte afro 1 kilometër larg shtëpisë dhe vajzën e vishja me xhup dhe e mbaja në gji, pranë, kur ishte ftohtë. Vajza e ka mësuar, i njeh autobuzët nga zhurma

Elvisi: Di t’i japësh makinësh Margarita?

Margarita: Po

Elvisi: Ditke? A po tani të paska mbetur vetëm të marrësh patentën

Lindoni: Kjo është vajza, dashuria e babait.

Elvisi: Ke bërë një vepër të madhe, ke shkrirë jetën tënde për vajzën.

Lindoni: Për Margaritën bëj çdo gjë, jam munduar sadopak, t’ja plotësoj të gjitha dëshirat. Jo të gjitha, por jam munduar.

Elvisi: Bashkë me ne, do t’ja plotësojmë të gjitha dëshirat.

Pas takimit, Lindoni niset drejt spitalit për vizitën e tij mjekësore.