Greqia me “Listë të Zezë” për transaksionet, të përfshira 43 vende

schedule22:30 - 22 Nëntor, 2017

schedule 22:30 - 22 Nëntor, 2017

Shqipëria është renditur nga Greqia në një listë me 43 shtete, me të cilat vendi ynë fqinj do të kontrollojë imtësisht transaksionet bankare, me qëllim shmangien e evazionit fiskal.

Qeveria e Greqisë ka bërë publike një “listë të zezë” me 43 shtete që do të jenë subjekt i mekanizmit të kontrollit të rreptë të taksave. Veçanërisht do të vëzhgohen me shumë imtësi transaksionet e bizneseve. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Financave e vendit helen me anë të një njoftimi që citohet nga mediat greke.
Mes shumë vendeve të tjera, në listën e zezë është përfshirë edhe Shqipëria e Kosova. Sipas ministrisë greke, shtetet në këtë listë konsiderohen jo bashkëpunuese në çështjet tatimore për vitin 2016. Kjo nënkupton se transaksionet e kompanive në raport me 43 shtetet e përfshira në listë nuk do të konsiderohen si shpenzime biznesi nga autoritetet financiare greke. Dhe në këtë mënyrë bizneset nuk do të mund të përfitojnë nga lehtësitë dhe dëmshpërblimet e politikave qeveritare.

Shpenzime bisnesi do të cilësohen vetëm kur do të sigurohet një faturë dhe kur do të provohet vërtetësia e transaksionit. Ky vendim I qeverisë greke ka synim të mbrojë shtetin nga biznesmenë që duan të shmangin taksat dhe nga ata që mund të kryejnë evazion fiskal.
Ndërkohë, Athina zyrtare rikujton se mes Greqisë dhe vendeve anëtarëve të Bashkimit Europian ekziston një bazë ligjore për shkëmbimin e informacionit. Gjithashtu ministria e Financave paralajmëron kompanitë vendase se mund të përballen me penalizime nëse kryejnë transaksione bankare të pajustifikuara me 43 shtetet e përfshira në këtë listë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!