Greqia dhe Turqia në prag të luftës, Xhaçka “ul gjakrat”

schedule21:39 - 24 Shtator, 2022

schedule 21:39 - 24 Shtator, 2022

Prej muajsh tashmë, mes Greqisë dhe Turqisë duket se nuk ka “paqe”. Akuzat nga të dy frontet janë të ashpra, ndërsa përplasjet kanë avancuar edhe gjatë ditës së sotme ku presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së në New York, tha se Greqia po e kthen Egjeun në një varrezë refugjatësh.

Por situata duket pak më e qetë në rang ministrash, pasi dy përgjegjësit për punët dhe marrdhëniet me jashtë, Mevlut Cavusoglu dhe Nikos Dendias kanë kaluar mjaftë kohë duke biseduar qetësisht me njëri tjetrin. Mes tyre në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që u mbajt në Nju Jork, ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Kryediplomatja shqiptare shprehu mirënjohje ndaj Greqisë për kryesimin e suksesshëm të SEECP-së, duke e çuar përpara perspektivën evropiane të rajonit. Në videon e shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, shihet ministrja Xhaçka e cila bisedon me Dendias dhe Cavusoglu.

 

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve nga Evropa Juglindore dhe transformimin e këtij rajoni në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi, me synimin kryesor integrimin e plotë të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Duket se një palë e tretë ka qetësuar gjakrat me Turqisë dhe Greqisë, të paktën në takimin e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Lexo edhe: Erdogani nis anijen drejt ishujve grekë, Athina i kërkon ndihmë Francës: Mesdheu në prag të “shpërthimit”

Kohët e fundit ka patur një shtim të tensioneve mes dy shteteve, ku një varkë peshkimi turke u qëllua nga rojet bregdetare greke si edhe pati raportime se raketat S-300 të Greqisë në Kretë mbajtën në shënjestër për disa minuta avionët turq në Egje, shkruan abcnews.al.

Turqit kërkojnë nga Greqia demilitarizimin e ishujve përballë tokës turke duke iu referuar marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa së fundmi grekët janë armatosur rëndë përballë kërcënimeve të fqinjëve për luftë.

Situata duket serioze, aq sa ekspertët e sigurisë theksojnë se një luftë Greqi-Turqi është e pashmangshme dhe ajo do të ndodhë shumë shpejt. N jë faktor tjetër që vlerësohet nga ekspertët si shkaku që mund të ndezë zjarrin nga ana turke lidhet me faktin se Turqia do të shkojë në zgjedhje në pranverën e ardhshme dhe partia në pushtet nuk i ka aspak punët mirë për shkak të korrupsionit masiv dhe çmimeve të larta. Kështu, sipas tyre, mund të kërkohet nxitja e një problemi të jashtëm për të harruar problemet e brendshme. /abcnews.al