Greqi, vazhdon kërkimi për të humburit

schedule10:25 - 26 Korrik, 2018

schedule 10:25 - 26 Korrik, 2018

Vijon të përkeqësohet bilanci i viktimave të zjarreve masive që përfshinë rajonin e Atikës në Greqi. Autoritetet noftojnë se një nga të plagosurit ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë, duke e çuar kështu bilancin në 83 të vdekur. Ndërsa më herët, sot u zbulua dhe një tjetër person i pajetë në rrënojat e shkrumbuara nga zjarri.

Ndërkohë, të mbijetuar të tjerë, vazhdojnë të kërkojnë njerëzit e tyre, që konsiderohen të humbur. Në zyrat shtetërore denoncimet kanë qenë me dhjetëra, por nuk dihet nëse një pjesë e tyre janë apo jo mes viktimave. Ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet e kërkimit ne zonat ku u prekën nga zjarri.

Ndërkohë, shërbimi grek i antiterrorit ka marrë në dorë hetimet mbi zjarret, duke u fokusuar në pistën e zjarrvënies të qëllimshme, që kanë si qëllim spastrimin e tokave nga bimësia dhe ngritjen e ndërtimeve.

Një tjetër sfidë e vështirë për autoritetet paraqitet identifikimi i viktimave, trupat e të cilëve janë shkrumbuar nga flakët. Grigoris Leon, drejtor i Shoqatës Helene të Mjekësisë Ligjore ka deklaruar se puna ka nisur, por, sipas tij, për shumicën e trupave është e vështirë që të bëhet identifikimi, pasi janë djegur tërësisht./abcnews.al