Greqi, arrestohen dy shqiptarët e arratisur

schedule09:00 - 12 Maj, 2018

schedule 09:00 - 12 Maj, 2018

Policia greke ka vënë në pranga dy shqiptarët e arratisur pak ditë më parë teksa transferoheshin në një burg ishullor. Arrestimi është kryer përmes një operacioni të forcave speciale, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të të dënuarve, njëri prej të cilëve i akuzuar për 4 vrasje.

Janë lokalizuar dhe janë arrestuar nga forcat speciale greke dy shtetasit shqiptarë që dy ditë më parë ishin arratisur nga porti i Pireut, teksa po transferoheshin në një burg tjetër në rrugë detare. Sipas raportimeve të mediave greke, dy kriminelët të dënuar për vrasje dhe grabitje janë vënë në pranga në një apartament në zonën Filadelfia e Re, falë një operacioni të mirorganizuar nga Drejtoria për Sigurinë e qytetit të Atikës. Sipas burimeve, policia ka rënë në gjurmët e tyre përmes informacioneve të mbledhura në rrugë operative. Të arratisurit janë kapur në befasi dhe nuk kanë patur kohë të reagojnë, edhe pse ishin të armatosur. Ata janë transferuar në një qendër burgimi dhe të shtunën do të dalin përpara gjykatësit për t’u procesuar për arratinë. Mediat helene i etiketojnë dy shtetasit shqiptarë si kriminelë të dhunshëm, përgjegjës për vrasje me pagesë. Njëri prej tyre, 35 vjeç dhe i identifikuar me nofkën “Niku”, akuzohet për vrasjen e një shqiptari në nëntor 2011 në Kallamata. Ai ekzekutoi me plumb pas koke shtetasin Filip Mezai, i cili shoqërohej nga i biri 2 vjeç e gjysmë, që u gjet i vrarë me fytin e prerë pranë trupit të të atit. Vrasja ishte porositur nga një eksponent i krimit të organizuar grek që u arrestua më vonë. Gjithashtu ai akuzohet për vrasjen e një tjetër shqiptari në vitin 2008 dhe të një shtetasi grek një vit më vonë në Atika. Për krimet në fjalë ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërsa i dyti është dënuar po ashtu me burgim të përjetshëm për vrasjen e një burri në Elefsina, si dhe të një gruaje teksa përpiqej ta vidhte. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!