Mbeten ende në kërkim dy prej tre shqiptarëve që ia dolën të arratiseshin mbrëmë në mesnatë nga një komisariat në Athinë të Greqisë. Njëri prej të arratisurve u kap pas 12 orësh kërkimi në një lagje periferike të Athinës.
Gjysmë ditë ka zgjatur liria e njërit prej tre shqiptarëve që u arratisën nga një komisariat në Athinë i gjendur në rrugën Petru Ralli, ku ata po mbaheshin përkohësisht. Tre shqiptarët kanë prerë kangjellat dhe me çarçafë kanë zbritur nga kati i dytë. Dy nga të arratisurit po përballeshin me një gjyq për trafik droge, ndërsa shqiptari tjetër akuzohej për vrasje. Emrat e tyre ende nuk jane bërë të ditur, por mësohet se janë 35, 38 dhe 27 vjeç. Pikërisht 35 vjeçari i cili mësohet se ishte pjesë e procesit për narkotrafik është kapur pak pas mesditës në Menidhi, lagje periferike e Athinës. Ekathimerini shkruan se bashkë me ta ka tentuar të arratisej edhe një shtetas nga Gjeorgjia. Por ai është kapur nga policia greke pak minuta pas arratisjes. Agjentët po punojnë për kapjen e dy shqiptarëve të tjerë që vijojnë të jenë të arratisur. Ende nuk dihet se me çfarë janë prerë kangjellat e burgut të komisariatit. Për këtë çështje autoritetet kanë hapur një hetim. Ky nuk është rasti i parë kur shtetas shqiptarë të arrestuar apo të dënuar ia dalin që të arratisen nga qelitë e paraburgimit apo burgjeve greke. Historia e Alket Rizajt ishte një ndër më të bujshmet për arratisjen me helikopter, por edhe ikja në grup e 8 të burgosurve shqiptarë nga burgu i Trikallas në mars të 2013, nuk bëri më pak bujë. Një pjesë e të arratisurve u vranë nga policia, por mes tyre pati edhe dy personazhe vip të botës së krimit si ilir Kupa i dënuar për grabitjet të dhunshme me të ashtëquajturën bandën e babagjyshëve apo edhe Admir Murataj, i dyshuari kryesor dhe person ende në kërkim, i cilësuar si truri i grabitjeve të bujshme të parave të disa bankave në vend./abcnews.al