“Grentin e bëj president, më dhemb shpirti kur shoh lotët e tij! Muçën s’e larguam”

schedule00:24 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 00:24 - 8 Dhjetor, 2020

Refik Halili është optimist për ecurinë e Tiranës dhe e thotë këtë në emisionin “Pressing” në ABC. Presidenti i bardhebluve, fillimisht tha: “Do rikthehemi shpejt, pasi skuadra po plotësohet. Kemi pasur shumë dëmtime, veç Çelhaka dhe Cale. Me operacionin që ka bërë e ka të vështirë. Mundësitë janë që të ecim para”.

Më pas Halili u ngacmua nga Sulejman Starova në lidhje me sulmuesin Ernest Muçi, për të cilin i thotë se ka një ofertë 200 mijë euro. “Është qesharake. 400 mijë euro na i kanë bërë dhe kanë qenë 2-3 oferta”, tha Halili, i cili më pas u ngacmua në lidhje me djalin e tij, Grentin.

“Më vjen keq, sepse përballon situata shumë të rënda. Nuk e di ku e gjen forcën. Ndoshta më ka ngjarë mua. Ai stërvitet rregullisht, megjithëse nuk kam dashur ta lodh shumë. Ai do të qëndrojë pjesë e klubit derisa të ketë dëshirë dhe fuqi. I bindur jam që do ia jap drejtimin atij. Nuk heq dorë nga klubi. Kur shoh lotët e tij kur ramë më dhemb shpirti. Kanë qarë edhe shumë lojtarë të tjerë dhe tifozë.

Sa i takon çështjes tjetër, se më rri në mëndje Gent Muça i cili kërkoi këtu te ju që t’i bënim kontratë trajnerit Egbo. Ai është një djalë i mirë, që dha kontribut. Bëmë një marrëveshje dhe Egbo pranoi të merrte aq sa merrte Mema. Bëmë kontratë të re, me shtesa. Pastaj lista e Egbo ishte me Gentin në pikëpyetje.

Dëgjoj që flasin që e hoqëm e larguam, e bëjnë në mënyrë të padrejtë ndaj meje. I bëmë kontratë 5 milion lek, që nuk e ka pasur. I kam thënë që të vijë kur të doje. Në formacion nuk e fus dot. Mamaja ime, kur e pa Gentin pa flokë kur bënte kimioterapi, qante dhe qanim të gjithë. Ata që thonë e larguam janë të papërgjegjshëm dhe të ulët”. /abcnews.al