Dy personat e arrestuar si të dyshuar për grabitjen e para pak ditëve në Shkodër u lanë në burg. Gjykata vendosi për ta masën e sigurisë arrest me burg dhe nuk mori parasysh asnjë nga pretendimet që ata ngritën gjatë seancës për masën e sigurisë.
Dy të dyshuarit për sulmin ndaj një banese në Shkodër ku dhe dhunuan kryefamiljarin, kishin alibi para gjykatës.
Por asnjë prej tyre nuk u mor parasysh. Pëllumb Kolbuçaj dhe Abdullaj Pashaj pretenduan se ishin të pafajshëm dhe se këtë gjë po ua bënte për hakmarrje një punonjës policie.
Ata akuzohen për grabitje dhe dhunë ndaj kryefamiljarit Agron Veseli.
“Unë kam 100 krerë bagëti dhe nuk kam arsye tëvjedh, prind i dy vajzave të vogla dhe me gruan shtatzënë”, tha Kolbuçaj.
Për këtë arsye, avokati i tij kërkoi masë të lehtë, arrest shtëpie ose detyrim paraqitje. Kolbuçaj pretendoi se kapuçin ia ka vënë në kokë policia, duke manipuluar provat.
I akuzuari i dytë, Abdullaj Pashaj, kishte një version të vetin për pafajësi. Ai i tha gjyqtares se ishte duke shëtitur në pedonale të qytetit kur gjeti një çantë me dy celularë të fikur, një palë targa makine dhe gjyslykë.
Ai deklaroi se ishte në kompjuter kur policia i hyri brenda në shtëpi dhe e akuzoi për grabitje.
Pavarësisht nga pretendimet e tyre, prokuroria tha se ka prova kundër tyre. Ndaj Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg për autorët e dyshuar të sulmit./abcnews.al