Grabitja në Rinas, Balluku: Koncesionari masa minimale për sigurinë e aeroportit

schedule11:11 - 11 Prill, 2019

schedule 11:11 - 11 Prill, 2019

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Rinas. Sipas saj, faji është i koncesionarit kinez, i cili nuk ka marrë asnjë masë pavarësisht thirrjeve për të rritur sigurinë e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Ministrja deklaroi se do të marrë fund tolerimi ndaj kompanisë kineze, pasi s’mund të luhet me sigurinë dhe imazhin e vendit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar në një deklaratë për mediat pas grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit. Sipas Ballukut faji është i koncesionarit kinez i cili nuk ka marrë asnjë masë për të rritur sigurinë e aeroportit duke bërë që masat të jenë sa për të kaluar radhën.

“Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016 pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti kanë rënë në vesh të shurdhër. Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme. Masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë sa për të  kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj. Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë”.

Balluku më tej shtoi se edhe pse kompania koncesionare vjel taksën prej 3 eurosh për çdo pasagjer, ajo nuk i investon për sigurinë, por për zgjerimin e hapësirave të parkingut.

“Të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel nuk u përdoren për investime serioze për pasagjerët. Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet. Ti shtojë ata dhe të vjelë fitime të lehta duke harruar kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri”.

E pyetur se cilat do të jenë masat që do ndërmerren ndaj koncesionarit kinez, ministrja Balluku u shpreh se edhe pse koncesionari nuk i ka problem gjobat, koha për ta toleruar ka marrë fund.

“Koncesionarit i është vënë një gjobë prej 500 mijë lekësh, por ai se ka problem. Ka mbaruar koha për të toleruar koncesionarin kinez, s’do ndërtohen me parkingje. Cilësia e shërbimit në aeroport ka për të ndryshuar, koncesionari po luan me kontratën e aeroportit. Dera e aeroportit është përdhosur dhe dhunuar nga koncesionari. Kjo është një çështje që duhet hetuar nga Prokuroria, siç tha dhe Presidenti”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!