Grabitja në Fier/Hetuesit: Grup profesionistësh

schedule12:50 - 24 Mars, 2018

schedule 12:50 - 24 Mars, 2018

Policia e Fierit vazhdon kërkimet për dy bashkëpunetorët grabitjes së një dite më parë në lagjen “29 Nëntori”. ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se ekzistojnë prova që të njëjtët persona kanë organizuar edhe grabitje të tjera në Korçë dhe Peqin. Nga shkëmbimi i zjarrit mes policisë dhe autorëve mbeti i vrarë një nga grabitësit dhe u plagos një tjetër.

Pas tentativës së grabitjes në banesën e Minella Muçës në Fier, ku mbeti i vrarë një nga 4 grabitësit, policia ka të dhëna se ky është një grup i sofistikuar kriminal. Burime nga komisariati i Fierit thanë se 33-vjeçari Arben Muça njëri prej grabitësve i plagosur në këmbë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë ende nuk ka treguar identitetin e shokëve të tij.

Por hetuesit kanë të dhëna se ky është grupi që ka kryer një sërë grabitjesh me armë kohët e fundit në qytete të ndryshme të vendit. Policia thotë se kemi të bëjmë me një grup profesionistesh, që nuk lë pas as shenja gishtërinjsh dhe as gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Me vete kishin përveç armëve, dorezave dhe maskave edhe një çantë me vegla që do të shërbente për të hapur derën. Sipas policisë ishte mbërritja në kohë e efektivëve, që pengoi planin e grabitësve. Nëse policia do të vonohej dhe për disa minuta, grabitësit do ta kishin hapur derën me veglat që dispononin.

Por mbërriti në më pak se 5 minuta nga çasti kur u njoftua salla operative, duke bërë që grabitja të dështojë me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur. Minella Muça dhe gruaja e tij janë pensioniste, por ata kanë një djalë që jeton me familjen në Meksikë çka mendohet se i ka shtyrë grabitësit të aludojnë se në banesën e të moshuarve do të gjenin para.

Ngjarja ndodhi në lagjen “29 Nëntori”, të premten në orën 2:27 minuta, kur 4 persona të armatosur tentuan të hynin me forcë në banesën e Minella Muçës për të grabitur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!