Një grup grabitësish kanë arritur të vjedhin gjatë natës tre biznese në Korçë. Mësohet se në të tre subjektet janë grabitur 12 mijë euro dhe 5 milionë e 300 mijë lekë të vjetra. Policia dyshon që vjedhjet janë kryer në një hark të shkurter kohore.
Tre biznese u grabitën gjatë natës në Korçë. Hajdutët, të cilët dyshohet të jenë të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë arritur të marrin shuma të konsiderueshme parash nga kasafortat e bizneseve, që pozicionohen, dy në unazën e qytetit dhe një tjetër në fshatin Bulgarec. Grabitësit i janë futur në shtëpi biznesmenit të bukës, duke i marrë kasafortën me 12 mijë euro dhe 4 milionë lekë të vjetra, teksa e gjithë familja ishte në gjumë.
Sipas deklarimeve në Polici, kasaforta ishte e pafiksuar dhe megjithëse kishte një peshë rreth 100 kg, autorët kanë mundur ta nxjerrin nga shtëpia dhe ta transportojnë me mjet. Edhe në fabriken e letrës, autorët kanë marrë kasafortën me rreth 1 milionë lekë, ndërsa nga magazina e hidro- sanitareve kanë vjedhur një shumë prej 30 mijë lekësh të reja.
Bizneset kanë roje, por grabitësit kanë vepruar pa u diktuar prej tyre. Ekspertimi i pamjeve të kamerave të sigurisë do të ndihmojë në identifikimin e autorëve të grabitjes, të cilat janë kthyer në shqetësim për bizneset në juglindje. Policia dyshon, që grabitjet janë kryer në një hark të shkurtër kohor, ndërsa autorët janë kujdesur të mos lënë gjurmë në vendngjarje./abcnews.al