Goli ndaj Atalantës, Ronaldo rikthen rekordin në Champions

schedule12:12 - 21 Tetor, 2021

schedule 12:12 - 21 Tetor, 2021

Cristiano Ronaldo edhe një herë kalon mbi Messin në Champions League, falë golit që i dha fitoren skuadrës së tij ndaj Atalantës të mërkurë në mbrëmje.

Pas përfundimit të pjesës së parë me rezultatin 0-2, United bëri një rikthim të fuqishëm dhe emocionues në pjesën e dytë për të vulosur fitoren e “pamundur”, me golat e Rashford, Maguire dhe Ronaldos.

Ky ishte goli i tretë i portugezit në Champions dhe i gjashti që kur u kthye në “Old Trafford” në merkaton e verës.

Ronaldo është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve dhe me golin kundër Atalantës ai rriti në 39 numrin e kundërshtarëve që i ka shënuar në Champions, duke kaluar sërish Messin.

Ronaldo e mbante këtë rekord një javë më parë, por rivali i tij prej kohësh me një dygolësh për PSG kundër Leipzig të martën e barazoi me 38. Vetëm 24 orë më vonë Ronaldo e riktheu rekordin e tij. r.t/abcnews.al