Goli i Idriz Bathës ka futur në sherr shkodranët. Kapiteni i Tiranës shënoi në minutën e gjashtë golin e barazimit, pas një goditjeje dënimi në hyrje të zonës. Portieri Zogovic u hutua nga një lëvizje e Mevlan Adilit dhe nuk reagoi si duhet, edhe pse topi i kaloi shumë pranë.
Ajo çka ka ndodhur ka tërbuar brazilianin Victor Da Silva dhe sipas “Panorama Sport” sulmuesi anësor i ka kërkuar llogari “gardianit” malazez se pse qëndroi në fund. Zogovic është shtangur dhe ka dashur ta zgjidhë gjithçka në dhomat e zhveshjes.
Sipas të njëjtit burim, në pushim të ndeshjes dy futbollistët janë ofenduar me njëri-tjetrin dhe për pak ka nisur edhe një përleshje. Raportohet se ka pasur thjesht shtyrje, pasi lojtarët e tjerë nuk kanë lejuar që situata të degradojë më keq.
Vllaznia u mposht të shtunën në “Loro Boriçi” me rezultatin 1-2 nga Tirana, edhe pse shënoi e para me Haris Dilaver. Batha dhe Cale iu kundërpërgjigjen shkodranëve, që në gjashtë javët e fundit kanë marrë vetëm gjashtë pikë.
Pavarësisht kësaj ecurie jo të mirë, sërish Vllaznia mbetet e para me tre pikë më shumë se Partizani. Afër janë edhe Laçi e Teutës, që kanë nga katër pikë më pak se skuadra e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric. / abcnews.al