Goditja e bandës shqiptare, ministri i Brendshëm bavarez jep detaje

schedule15:03 - 16 Maj, 2018

schedule 15:03 - 16 Maj, 2018

Pas operacionit të suksesshëm të policisë gjermane, i cili rezultoi me arestimin e 12 personave, pjesa më e madhe shqiptarë dhe sekuestrimin e një ton kokaine, ministri i Brendshëm bavarez, Joakim Herman, ka bërë publike detajet e hetimeve.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann doli në një konferencë për shtyp pas sekuestrimit të një sasie prej rreth 1 ton drogë në këtë land të Gjermanisë. Hermann konfirmoi se janë arrestuar 12 shqiptarë, disa prej tyre banorë në Gjermani. Operacioni që rezultoi me shkatërrimin e bandës nisi disa muaj më parë.

Në muajin Shtator të vitit 2017, në kutitë e bananeve nëpër disa supermarkete të Gjermanisë, u zbuluan qese me kokainë. Pas kontrollit, policia gjeti rreth 180 kilogramë kokainë. Këtu nisën dhe hetimet për të zbuluar se nga vinte kjo kokainë.

Gjurmët i çuan hetuesit gjermanë në Amerikën e Jugut. Atje, trafikantët e drogës e fusnin kokainën nëpër kutitë e bananeve, akoma të papjekura. Frutat transportoheshin me anije dhe më pas me kamionë shpërndaheshin nëpër Gjermani, ku vendoseshin nëpër magazina për pjekjen përfundimtare.

Pikërisht në këto momente ndërhynin personat e armatosur, që merrnin drogën e tyre. Policia vëzhgoi skemën dhe ndërhyri vetë, duke kapur rreth 950 kilogramë kokainë. Sipas ekspertëve, ajo ka një shkallë pastërtie prej 90 përqind. Kokaina e shitur në treg do t’u sillte trafikantëve një fitim prej miliona eurosh.

Pasi kapën kokainën, policia priti në një magazinë në Hamburg për të kapur edhe anëtarët e bandës. Pak pas mesnatës, në magazinë erdhën persona të armatosur, që morën kokainën dhe u nisën drejt Holandës. Në këtë moment forcat speciale ndërhynë dhe arrestuan autorët, të cilët kishin 180 kilogramë kokainë.

Atyre iu sekuestruan edhe dy pistoleta dhe 30 mijë Euro. Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e tyre në Hamburg dhe Hanover. Në total u arrestuan 12 persona, pjesa më e madhe shqiptarë. Tashmë policia ka nisur hetimet për të zbuluar se kush qëndron pas tyre, për të ndaluar këtë trafik milionash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!