Finalizohen brenda 24 orëve 2 operacione të tjera për zbardhjen e një vjedhjeje dhe të një tentative vjedhjeje, në territoret e Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 5.
Arrestohen 5 persona si dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Sekuestrohen sendet e vjedhura, si dhe 1 automjet në të cilin u gjetën sendet e vjedhura.
Në vijim të punës hetimore, të kryer menjëherë pas kallëzimeve të administratorëve të subjekteve për vjedhje/tentativë vjedhjeje të pronës/pasurisë, shërbimet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan, brenda 24 orëve, 2 operacione të tjera për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
“Në kuadër të operacionit policor “Bashkëpunimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 vunë në pranga shtetasit K. B., 26 vjeç dhe S. B., 27 vjeç, vëllezër, pasi në automjetin e tyre u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende/materiale të ndryshme të vjedhura në një subjekt (lokal) në Rrugën e Kavajës. Në vijim të veprimeve u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve C. D., S. A. dhe B. K., pasi dyshohen si autorë të vjedhjes.
-Në kuadër të operacionit policor “Flagranca”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit A. V., 23 vjeç, E. K., 19 vjeç dhe F. H., 19 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vjedhin në një subjekt (dyqan) në pronësi të shtetasit F. L”, njofton policia.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


