Gjyqtarët përballë pronarëve, kryeministri kritik dje e në krah sot

schedule17:37 - 12 Mars, 2019

schedule 17:37 - 12 Mars, 2019

Nuk janë të pakta deklaratat e kryeministrit Edi Rama që targeton gjyqtarët për vendime e padrejta mbi pronën. I ndryshëm ka qenë reagimi i kreut të qeverisë ndaj banorëve që nuk lejuan zbatimin e vendimit të formës së prerë për banesën në zonën pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë.

Teoria dhe praktika duken në kundërshtim me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për vendimet e gjykatave mbi dhënien e pronësisë. Të paktën kështu duket nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndër vite.

“Në Shqipëri ka pretendentë për prona dhe pretendime për kthime sa dyfishi i sipërfaqes së vendit tonë. Një absurd që është zhvilluar falë një bande në sistemin e drejtësisë. Një bandë kriminale që ka bërë një kasaphanë duke përdorur çekiçin e gjykatës”, është shprehur kryeministri në korrik të vitit 2015

“Gjykatës që fshihen pas vendimesh kolegjiale që kanë marrë dhe formë të prerë në disa shkallë dhe që në këto kushte aktualisht janë të pandëshkueshëm”, ka thënë ai në Gusht të 2015-s.

“Në 25 vjet jo nuk u bë shtet, por një rrumpallë e paimagjinueshme dhe gjykatat që janë shtylla kryesore e shtetit u kthye në pazare kur e drejta shitej e blihej”, është shprehur në Nëntor të 2016-s kryeministri.

“Kemi qenë këtu kur unë thosha nuk duhet të shtojmë një gjykatë, por duhet të përmbysim një sistem, sepse një gjykatë më shumë do jetë një kasap më shumë ku ju do shkoni dhe do lini lëkurën”, tha ai në Shkurt të 2017-s.

“Për mua është shumë e rëndësishme të jem këtu sot pas më shumë se 15 vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës, ku mund të shkruhet një libër për shqipërinë që kishim. Në këtë truall u ngatërruan të gjitha sëbashku, që nga babëzia deri te korrupsioni i gjykatave”, është shprehur ai gjatë 2018-s.

Tonet e kryetarit të qeverisë ndryshuan për rastin më të fundit që u dha drejtpërdrejtë në media. Banorët që kërkonin të mos i merrte pronën përmbarimi pasi pretendojnë se gjykata ka dhënë vendim në kundërshtim me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

“Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë. Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje!Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit”.

Pas pamjeve në kazanin mediatik drejtori i Policisë Tiranë u shkarkua e po ashtu edhe një punonjëse e repartit “Shqiponja” sepse protestoi kundër prishjes së banesës, ku ajo e familjarët e saj jetonin prej vitit 1953.

Me statusin e fundit të kryeministrit Edi Rama duket se gjykatat janë në rrugë të mbarë dhe mbi vendimet e tyre të formës së prerë nuk duhet të dalë askush. Këtë e konfirmoi nga studio e ABC News edhe numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla.

“Jam në një pozicion që ligji dhe Kushtetuta në një vend se kush ka të drejtë përcaktohet vetëm nga gjykata”, tha Balla.

Ky rreshtim në krah të gjykatës pritet të nxisë edhe shumë pronarë trojesh që nuk janë kompensuar nga shteti ndonëse ua kanë dhënë trojet për shërbime publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!