Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mëngjesin e sotëm, i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia ka ngjitur shkallët e Gjykatës së Posaçme të Apelit duke rinisur betejën me drejtësinë, por seanca u shty për në 5 janar ora 10:00 për shkak të mungesës së Jaeld Çelës dhe avokatit të tij.
Disa javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.
Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.
SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja u rikthye edhe njëherë në Apel./Abcnews.al