Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-deputetin Bardh Spahia. Ai deklaroi në gjykatë se shkoi për të qetësuar situatën në KZAZ nr. 3 në Shkodër ndërsa e konsideroi arrestimin e tij si një prapaskenë politike. Diteën e sotme u dhanë masat edhe për pesë persona të tjerë që u arrestuan pas përplasjes që ndodhi në shkollën “Shejnaze Juka”.
Nën masa të rrepta sigurie u shoqërua në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër ish-deputeti Bardh Spahia.
Bashkë me të për masën e sigurisë ishin edhe 5 persona të tjerë të arrestuar pas përplasjeve për lirimin e ambienteve në KZAZ nr. 3 në Shkodër ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.
Spahia mbrohet nga avokati Ivi Kaso dhe seanca e tij ishte e ndarë nga punonjësit e bashkisë së Shkodrës dhe të ndaluarit e tjerë.
“Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike”, tha gjatë seancës Spahia.
Ndërsa avokati i tij mbrojtjës Ivi Kaso deklaroi se Spahia ka qenë i pranishëm në grumbullimin e njerëzve për të qetësuar situatën dhe policia duhet të priste urdhrin e prokurorit për ta arrestuar.
Në fund, trupi gjykues i drejtuar nga Tonin Sterkaj pasi dëgjoi edhe kërkesën e prokurorisë vendosi arrest shtëpie për ish-deputetin Spahia. Ai u arrestua të enjten kur po shkonte në një studio televizive ndërsa gjatë kësaj kohe është mbajtur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Jashtë ambienteve të gjykatës ndodheshin 3 furgona të FNSH, forca operacionale dhe forcat e rendit si dhe simpatizantë të shumë të PartisË Demokratike. Ish-deputetët e PD-së kërkuan lirimin e menjëhershëm të Bardh Spahisë.
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë për Alfred Nikollin dhe Gentian Bytyçin, arrest shtëpie për Adi Garuçin dhe Aleks Ndojin. Ndërsa për 17-vjeçarin Orlando Thepi u dha masa detyrim paraqitje./ABC News Albania 24/7