Gjykata Kushtetuese inekzistente/ Nga 9 anëtarë vetëm 2 me mandat

schedule15:32 - 10 Maj, 2018

schedule 15:32 - 10 Maj, 2018

Largimi nga detyra i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha lë aktualisht këtë institucion me 2 anëtarë të mandatuar nga 9 që parashikon ligji.  Gjyqtarja Vitore Tusha, e cila e kaloi vettingun, aktualisht është pa mandat për shkak se i ka mbaruar. Kjo situatë e bën pothuajse inekzistente Gjykatën më të lartë në vend, atë Kushtetuese. 

Gjykata Kushtetuese mbetet me 2 anëtarë të mandatuar, por dhe këta ende nuk kanë kaluar provimin e vetingut.

Nga 9 anëtarë të përbërjes së kësaj Gjykate, 2  gjyqtarëve Vladimir Kristo dhe Vitore Tusha u ka mbaruar mandati. E vetmja deri më tani nga trupa kushtetuese që ka kaluar vettingun, Vitore Tusha vijon të mbajë detyrën edhe pse pa mandat, ndryshe nga kolegu Kristo, i cili la bosh karrigen me përfundimin e afatit të mandatit si gjyqtar kushtetues.

I dyti dhe i treti të larguar me vullnet të plotë janë Sokol Berberi dhe Besnik Imeri, të dy të dorëhequr nga posti.

Në 5 gjyqtarët e mbetur me mandat, 3 prej tyre, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha i dogji procesi i rivlerësimit kalimtar, i njohur rëndomë si vettingu.

Nga 9 anëtarë të trupës së plotë të Gjykatës Kushtetuese, tashmë kanë mbetur vetem Kryetari i saj, Bashkim Dedja dhe gjyqtari Gani Dizdari, të cilët ende nuk kanë kaluar në sitën e kontrollit të vetingut.

Gjykata më e rëndësishme në Shqipëri, garanti i Kushtetutës, prej muajit mars është de facto inekzistente dhe ende nuk dihet edhe sa muaj të tjerë nuk do të ndërtohet dot për shkak të procedurave të emërimeve të lidhura me ngritjen e institucioneve të vetingut. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!