Gjykata e Pireut le në burg pa afat dy shqiptarët dhe italianin e kapur me 1.6 tonë kanabis

schedule18:52 - 29 Nëntor, 2017

schedule 18:52 - 29 Nëntor, 2017

Gjykata e Pireut ka lënë në burg pa afat dy shqiptarët dhe italianin që u arrestuan në bordin e skafit që po trafikonte 1.6 tonë kanabis nga Shqipëria për në Greqi. Të 3 kanë mohuar përfshirjen me trafikimin e lëndës narkotike.

3 nga 11 personat e arrestuar, nën dyshimin se kanë lidhje me trafikimin e 1.6 tonë drogë nga Shqipëria për në Greqi janë paraqitur në Gjykatën e Pireut. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni “Skai”. Sipas kësaj media, drejtësia greke ka caktuar masën për 3 të pandehurit. Më konkretisht, Gjykata e Pireut la në burg pa afat 2 shqiptarë dhe 1 italian.
Skai shkruan se prokuroria akuzoi shtetasin Italian se ishte ai që ka organizuar transportin e kanabisit me skaf të fuqishëm nga Himara për në Greqi. Por në dëshmi, ai pretendonte se nuk ka pasur dijeni për drogën që gjendej në mjetin lundrues. Italiani pohoi në gjykatë se kishte disa marrëveshje për drejtimin e skafit “Skipper” nga Greqia për në Itali.

Gjithashtu edhe shqiptarët kanë mohuar lidhjet me trafikimin e drogës në seancën gjyqësore. Sipas një pjesë të dëshmisë, të zbardhur nga mediat greke, ata pretendojnë se thjeshtë ishin të punësuar si punëtorë për ngarkimin dhe shkarkimin e lëndës narkotike. Ndërkohë, Gjykata e Pireut pritet të enjten të vendosë masat për 2 shqiptarë dhe një italian tjetër që u arrestuan gjatë disa operacioneve në zona të ndryshme të Athinës. Ndërsa për 2 grekët dhe shtetasin bullgar, drejtësia do të vendosë të premten.

Prokuroria greke akuzon 11 të ndaluarit se bëjnë pjesë në një kartel të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas mediave që citojnë autoritetet helene, lënda narkotike në sasi shumë të mëdha ngarkohej nga bregdeti shqiptar kalonte në Greqi dhe më pas destinacioni final ishte Turqia. Atje trafikantët merrnin heroinë të cilën e sillnin në Shqipëri.
Operacioni për shkatërrimin e bandës nisi të premten e kaluar, kur u sinjalizua skafi i fuqishëm me 1.6 tonë kanabis i nisur nga Himara për në Greqi. Organizata kriminale është zbuluar nga DEA amerikane, antidroga italiane dhe ajo greke. Ndërsa në operacion morën pjesë dhe ekipe të rojes bregdetare italiane dhe greke. Hetuesit kanë verifikuar se skafi i përkiste një biznesmeni të njohur nga Mykonos, Spiros Kardamis./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!