Gjykata e Lartë në kolaps, shkarkohet Edmond Islamaj

schedule17:50 - 22 Maj, 2019

schedule 17:50 - 22 Maj, 2019

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra të gjyqtarin të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, pasi kishte problem me deklarimin e pasurisë. Gjykata e lartë është në kolaps pasi ka mbetur me dy antarë Xhezair Zaganjorin që është i ankimuar nga Komisioneri Publik dhe Ardian Dvoranin.

Edmond Islamaj ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por kundër këtij vendimi ka dalë Komisioneri Publik pasi kishte dyshime për pasurinë e gjyqtarit. Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari Islamaj ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe te pamjaftueshëm të pasurisë dhe për këto arsye nuk ka besueshmëri.

Në relacionin që Komisioneri Publik i dërgoi KPA-së më 12 korrik të 2018, kur dorëzoi ankimimin për Islamajn, thuhej se hetimi i pasurisë për gjyqtarin Islamaj nuk ishte i plotë.

Në listën e verifikimeve të paplota komisioneri publik përmendte transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkëjetuesen e tij.

Në seancën e zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kur është konfirmuar në detyrë, Islamaj tha se pasurinë e kishte trashëguar nga gjyshërit e tij.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj ka zhvilluar një betejë të gjatë ligjore në KPA duke sjellë prova dhe dokumente për të faktuar burimin e krijimit të pasurisë.

Gjykata e Lartë, shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë del kështu jashtë funksionit duke iu bashkuar Gjykatës Kushtetuese. Komisioneri publik ka ankimuar edhe  vendimin e KPK-së për drejtuesin e Gjykatës së Lartë Xhazair Zaganjori./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!