Dy gjykata refuzojnë të njohin si kryebashkiakë dy kandidatë të Partisë Socialiste të shpallur fitues. Gjykata e Durrësit nuk regjistroi Valbona Sakon, ndërsa një gjyqtare në Tiranë nuk ja dha mandatin fituesit socialist në Bashkinë e Vorës.
Valbona Sako është kryebashkiakja e parë e shpallur fituese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nuk pranohet si e tillë nga gjykata e rrethit Durrës.
Gjyqtarja Mimoza Margjeka, duke vlerësuar se Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afateve, i ka konsideruar zgjedhjet të paligjshme dhe në këto kushte nuk e ka pranuar fituesen e Durrësit si kryebashkiake zyrtare.
Ky rast mund të zgjidhet me Gjykatën e Apelit në Durrës, e cila mund të vendosë ndryshe. Por rasti tjetër më i vështirë, është ai i fituesit në Vorë, Agim Kajmaku. Gjyqtarja Arjana Gunbardhi ka vendosur të mos e regjistrojë socialistin si kryetar bashkie, sepse vlerëson se kjo çështje është kompetencë e Gjykatës Administrative.
Në këto kushte, kur ka një konflikt mes dy gjykatash për kompetencat, ajo që vendos është gjykata e Lartë. Kur kjo gjykatë është jo funksionale, ngelet e vështirë për tu lexuar se kur në Bashkinë Vorë do të vendoset fituesi i 30 Qershorit, Agim Kajmaku./ABC News Albania 24/7