Kreu i demokratëve Lulzim Basha reagoi në rrjetet sociale pasi gjyqtari i Durrësit Shpëtim Reka vendosi të njohë Valbona Sakon si kryebashkiake të qytetit bregdetar. Sipas kryedemokratit Basha, drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës dhe vendimi i sotëm i gjykatës së Durrësit është vendim i vendosur nga kryeministri. Mirëpo ky vendim, shton më tej lideri demokrat, do të ketë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët.
“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, shkruan Basha në Facebook.
Këtë të premte gjyqtari Shpëtim Reka vendosi të njohë Valbona Sakon si krybashkiake të Durrësit. Ai pranoi një kërkesë që i është dorëzuar shkresërisht nga vetë kryetari i Ps-së Edi Rama, i cili kërkonte të njihte Sakon si kryebashkiake të Durrësit.
Për këtë bashki janë në fuqi dy vendime, ai i ditës së mërkurë që, kishte si kërkuese vetë Valbona Sakon, dhe që nuk e pranoi si fituese dhe ky i së premtes, më kërkues Edi Ramën, që e konfirmoi fitoren e Sakos.
Vetë kandidatja tha se do ta apelojë vendimin e së mërkurës, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të shuajë betejën juridike./abcnews.al