Gjykata Administrative rrëzon KLGJ: Bëni emërimin e Florin Demollarit

schedule17:46 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 17:46 - 30 Dhjetor, 2019

Emërimi i një magjistrati vë përballë Gjykatën Administrative të Apelit dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Apeli i Administratives ka urdhëruar qeverinë e gjyqtarëve që të emërojë magjistratin Florin Demollari që ishte skualifikuar, për shkak të problemeve me pasurinë.

Në bazë të ligjit për organet e reja në sistemin e drejtësisë emrimi i magjistratëve gjyqtarë bëhet nga KLGJ pasi të kenë kryer të gjitha verifikimet. Florin Demollari ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në 2019 dhe priste emërimin nga qeveria e gjyqësorit. Por në mbledhjen e 12 nëntorit të 2019 – tës, Këshilli vendosi të skualifikojë kandidatin Demollari dhe refuzoi të bënte emërimin e tij si gjyqtar, pasi konstatoi se ai kishte probleme me pasurinë. Demollari bëri ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Betejë ligjore të cilën e ka fituar. Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur që të shfuqizojë vendimin e Këshillit dhe ka urdhëruar që të bëhet emërimi i magjistratit të skualifikuar. Ky vendim ka përplasur dy institucionet pasi në ligj është kopetencë e qeverisë së gjyqtarëve që të vendosë nëse do të bëjë një emërim ose jo pasi të jenë kryer të gjitha verifikimet. Sipas burimeve nga Këshilli ky vendim është i padrejtë dhe se ata do të bëjnë ankimim në Gjykatën e Lartë, gjatë 2020 – tës pasi duhet të presin vendimin e zbardhur të Gjykatës Administrative të Apelit.

Po i njëjti burim thekson se akoma nuk dihet se cilat janë argumentat ligjore që ka përdorur trupa gjykuese, por që ligjërisht janë të detyruar që të bëjnë emërimin e magjistratit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!