Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Kastriot Gjuzin, i akuzuar për vrasjen e Mario Majollarit. Kastriot Gjuzi akuzohet për “vrasje për gjakmarrje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjatë deklarimeve të tij në polici dhe në gjykatë i dyshuari ka mbajtur qëndrim mohues për vrasjen.
Përmes këtij vendimi Gjykata e Tiranës izoloi në qelitë e paraburgimit Kastriot Gjuzin. Ai dyshohet të jetë ekzekutori i Mario Majollarit mbrëmjen e 10 prillit në zonën e Kinostudios në kryeqytet.
Prokuroria i mbështet dyshimet në pamjet filmike të një kamere sigurie që ka fiksuar Gjuzin pranë vendit të ngjarjes.
Gjatë seancës për caktimin e masës së siguroisë, si edhe në deklarimet e dhëna në prokurori Gjuzi ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij. Ai ka pranuar hasmërinë me Mario Majollarin, por ka përjashtuar përfshirjen në krim. Ai ka shpjeguar se ishte larguar nga banesa pasi e kishte kapur paniku teksa kishte parë ndërhyrjen brutale të policisë në banesën e tij. Ndërsa në momentin e ndalimit, ai ka pretenduar se po kthehej nga Kosova në Shqipëri për t’u vetëdorëzuar.
Avokati dha një argument edhe për praninë e Gjuzit në lagjen e viktimës.
Kastriot Gjuzi u arrestua në 19 prill pranë kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë vrasja e Mario Majollarit është bërë për motive gjakmarrjeje në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2000 ku babai i tij vrau dy persona, një prej të cilëve vëllai i Kastriot Gjuzit./abcnews.al