Gjovalin Shkurtaj: Shqipja standarde rishikohet pas 50 vitesh

schedule22:17 - 5 Mars, 2022

schedule 22:17 - 5 Mars, 2022

Nga Leontina Nika

Gjuhëtari dhe Akademiku i nderit Gjovalin Shkurtaj në një intervistë për  abc  rrëfen  detajet e rishikimit të standardit pas 50 vitesh. Gjuhëtari  thotë se për gjysëm shekulli gjuha e njësuar e e miratuara nga delegatët mbarëshqiptar në Kongresin e drejtshkrimit 1972 i ka rezistuar kohës, por rishikimi është i natyrshëm.

Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara”-  thekson  gjuhëtari i njohur Gjovalin Shkurtaj.

Qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar  ka pasur kërkesë të rreptë nga ana e institucioneve për zbatimin gjuhës zyrtare dhe për këtë  Shkurtaj citon Ismail Qemalin.

Pas njësimit të alfabetit në 1908, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972 ishte ngjarje e rëndësishme, sipas  profesor Shkurtajt.

Gjuhëtari  thotë se 50 vite më pas, gjuha standarde i ka rezistuar kohës, por rishikimi është i natyrshëm.

Profesor Shkurtaj kujton se njësimi i gjuhës u bë duke marrë edhe mendimin e specialistëve të fushës në Kosovë në 1968, e shkruar kjo edhe në kujtimet  e akademikut Rexhep Qosja, i cili ka qenë edhe firmëtar i kongresit të Drejtshkrimit.

Debati mes gjuhëtarëve ekziston, por Shkurtaj kujton porosinë e profesorit të shquar Shaban Demiraj; ” E përbashkëta të ruhet, por të mos prishet”.

Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes, sipas mbledhësit të gjuhës në terren. “Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar”– thekson  gjuhëtari.

Për fat të keq, ka më se 20 vjet që, kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme thotë Shkurtaj

Në  Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë, nga të cilët sot kanë mbetur pak mes të gjallëve. Mendimi  i tyre pritet të merret edhe në këtë përvjetor.

Konferenca duhet të  mbyllet  me  një Rezolutë mbështetëse dhe plotësuese e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972), në të cilën të parashtrohen edhe përmirësime a ndreqje të pjesshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!