Dita e Alfabetit, festë kombëtare/ Shkurtaj: Ndihem i gëzuar si shqiptar dhe si gjuhëtar

schedule10:42 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 10:42 - 1 Dhjetor, 2023

22 nëntori, Dita e Alfabetit, do të jetë festë kombëtare edhe në Shqipëri siç është për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë dhe Kosova pritet ta marrë si vendim.

Gjatë intervistës në emisionin “Pas Mesnate”, gjuhëtari i njohur Gjovalin Shkurtaj deklaroi se ndihet shumë i lumtur për këtë vendim dhe si shqiptar, por si gjuhëtar.

Ai theksoi se duhet të jetë një festë për shqiptarët, pasi ata janë detyruar për vite me radhë të mos shkruajnë gjuhën shqipe, ndërkohë që kombet e tjera kishin universitete.

“ Si çdo shqiptar dhe në këtë rast si gjuhëtar, jam shumë i gëzuar sepse Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është dita kur është bërë marrëveshja më e bukur midis shqiptarëve. Pasi që nga libri i Gjon Buzukut i shkruar në gjuhën shqipe, por me një alfabet latin, pastaj u shkruajt me alfabete të tjera. Ka pasur një përpjekje të mbarë për të krijuar alfabete në gjuhë të tjera. Forca të ndryshme tërhiqnin dikush nga një alfabet arab, dikush nga një alfabet tjetër. Pra, ardhja deri në 1908 me dy alfabete dhe që duheshin patjetër që të bëhej një zgjidhje sepse nuk mund të shkoje me dy alfabete.

Dua të përmend ndihmesën që ka dhënë Ndre Mjeda, pasi ishte një nga autorët dhe të një alfabeti që ishte i ndryshëm nga ai që u miratua, por për hir të bashkimit shpirtëror, shkroi vjershën ‘Bashkonju’ dhe hoqi dorë nga ato mendimet e veta që kishte për hir të përbashkimit të një alfabeti. Prandaj, mendoj që një festë për shqiptarët të cilët kanë qene të detyruar të mos ta shkruajnë gjuhën shqipe, që mezi e kanë arritur që ta shkruajnë, ndërsa kombet e tjera kishin universitete, ne mezi bëmë në vitin 1908 alfabetin e njëjtë të gjuhës shqipe. Kjo ka qene një sukses i madh, me qëllim që kjo bashkësi strukturore t’u shërbejë shqiptarëve si shenjë dhe më tej ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ta përkrahim njëri-tjetrin, të merremi vesh me njëri-tjetrin”, tha Shkurtaj./abcnews.al