Gjonaj: KLD në ditë të zezë, reagon Meta

schedule14:27 - 8 Maj, 2018

schedule 14:27 - 8 Maj, 2018

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cilësoi si ditë të zezë në KLD mbledhjen e të hënës, ku u rrëzuan propozimet e saj për shkarkimin e tre gjyqtarëve. Gjonaj tha se KLD mbron interesat personale të gjyqtarëve. Në mbështetje të ministres doli edhe Presidenti i Republikës.

Një ditë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash i rrëzoi propozimet për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve Petraq Curri, Ergys Selmani dhe Ahmet Jangulli, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli para mediave.

“U rrëzuan tre propozimet e mia, për shkarkimin e tre gjyqtarëve, të cilët nga raportet e inspektimit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë rezultonin me shkelje të rënda të ligjit, diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit”.

Gjonaj ndau për publikun edhe shkeljet e konstatuara tek gjyqtarët.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të gjykatës së Durrësit, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga shteti italian për ekstradim.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar, i cili në mënyre diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, për shkak të mosarsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës Administrative, Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë”.

Ministrja e konsideroi të pajustifikueshme vendimarrjen e KLD-së.

“E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë!

Këshilli i Lartë i Drejtësisë  është kthyer në një strukture mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik”.

Keqardhje për mosmoratimin e propozimeve të Gjonajt për shkarkimin e gjyqtarëve shprehu edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta. Përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, presidenti tha se në mbledhjen e KLD-së kishte mbështetur propozimet e ministres. Sipas presidencës, shkeljet e gjyqtarëve ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda.

Burime të “ABC News” brenda mbledhjes bënë me dije se gjatë zhvillimit të saj presidenti Meta në rolin e kryetarit të Këshillit ka tërhequr vëmendjen e anëtarëve, që disa nga rastet e shqyrtuara ishin skandaloze dhe gjyqtarët duhet të mbanin përgjegjësi. /abcnews.al