Gjonaj: Kërkesa e gjykatësit për leje prindërore, e paligjshme

schedule13:32 - 20 Tetor, 2018

schedule 13:32 - 20 Tetor, 2018

Në një dalje publike, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, cilësoi të paligjshëm vendimin e KLD-së për dhënien e një leje prindërore 2-vjeçare për gjyqtarin Gjin Gjoni. Sipa saj, gjyqtari po i shmanget vettingut. Vetë Gjoni në një reagim për “ABCneës” tha se kërkesa e tij është e ligjshme dhe se leja nuk pengon apo pezullon vettingun ndaj tij.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, cilësoi si të paligjshëm një nga vendimet e mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Akuzat e ministres lidheshin me vendimin e KLD për dhënien e një lejeje prindërore 2-vjeçare për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Gjin Gjoni, njëkohësisht anëtar i KLD. Vetë ministrja nuk ishte prezente në këtë mbledhje.

“Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është miratuar me votim nga anëtarët prezent të KLD-së, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë tjetër autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme.  Duke përfshirë në rendin e ditës, në fund të mbledhjes shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj, me argumentin se është bërë me vajzë dhe do t’i duhet të bëjë shpesh vizita/udhëtime në shtetin gjerman, ku jeton familja e tij, KLD-ja është riafirmuar si mishërim i drejtësisë së vjetër klienteliste e të korruptuar”.

Sipas Gjonajt, KLD ka shkelur procedurën, ka vepruar pa kuorumin e nevojshëm dhe nuk ka diskutuar kërkesën. Por ministrja veçon një tjetër argument:

“Eshtë e qartë se nuk është objekti i kërkesës, po vetëm Vetingu i padëshiruar, që e ka çuar anetarin e vetë KLD deri në këtë absurd”!

Ndërkohë, Gjyqtari Gjoni i vlerëson të pabaza pretendimet e ministres. I kontaktuar nga ABC Neës, Gjoni tha se kërkesa e tij për leje prindërore ka qenë e bazuar në ligj dhe si e tillë është miratuar nga KLD.

“Nuk është e vërtetë që kam marrë pjesë në votim. Këshilli ka pasur kuorumin e nevojshëm, madje është pritur pak minuta deri në ardhjen e anëtares Eneida Civivi. Leja e prindërimit nuk ka asnjë ndikim në procesin e Vettingut, as e pezullon dhe as e shtyn atë. Sipas paketës ‘anti-shpifje’ të propozuar nga kryeministri, ministrja e Drejtesisë duhet të shkojë për shpifje”, tha gjyqtari Gjoni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!