Gjobitja e emigrantëve, Lleshaj: Jemi informuar që Greqia do ta adresojë këtë problem

schedule13:21 - 22 Maj, 2020

schedule 13:21 - 22 Maj, 2020

Duke folur nga Gjirokastra bashkë me drejtorin e policisë, prefektin e qarkut Gjirokastër ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj ka folur për 1 vjetorin e nisjes së misionit FRONTEX në Shqipëri.

Duke e cilësuar si një histori suksesi, ministri Lleshaj është shprehur  se është një kënaqësi që evidentojmë se për një vit është rritur një volum i madh pune që ka çuar në rritjen e goditjes së krimit kufitar.

Lleshaj thekson po ashtu që ky bashkëpunim është i pari që Frontex bën me një vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me gjobat që u janë vënë emigrantëve shqiptarë që u ka kaluar afati i qëndrimit në Greqi, ministri i Brendshëm deklaroi se dy palët janë në diskutime për ta zgjidhur ndërsa shtoi se duhet, shteti do t’i marrë përsipër kostot.

Lleshaj deklaroi:

Qeveria  shqiptare është në negociata me qeverinë greke për ta adresuar. Sepse janë shumë qytetarë shqiptarë…Ne kemi vendosur që mos i penalizojmë të huajt që kemi këtu. Kemi vendosur që pandemia si forcë madhore duhet njohur, nuk duhet penalizuar qytetarë. Shpresojmë qe edhe qeveria greke do të bëjë të njejtën gjë. Mesa jemi informuar, kjo gjë do të ndodhë. Por, kryeministri ka premtuar se edhe në rast se qeveria Greke nuk do të gjejë mundësi për ta adresuar këtë problem, qeveria shqiptare do të marrë përsipër të gjitha kosot.”

Ndërsa, i pyetur në lidhje me planin që është nisur në parlament për survejimin e shtetasve shqiptarë pa lejen e Prokurorisë, Lleshaj u shpreh se nuk ka një plan të tillë.

Sipas tij, synohet vetëm që t’i krijohet policisë mundësi për të bërë detyrën e saj në parandalimit të krimit.

Gjithashtu, ministri shtoi se policia është organ ligj-zbatues dhe ka për detyrë që të ushtrojë parandalimin e krimit. Sipas tij, leja do të jepet nga autoritetet përkatëse drejtuese të policisë.

Sa i përket çështjes së kultivimit të kanabisit, Lleshaj u shpreh se kanabisi në Shqipëri ka marrë goditje të rënda dhe të pakthyeshme. Po ashtu ministri shtoi se policia e ka këtë çështje prioritet dhe po ndërmerret një plan ndërinstitucional.

Sandër Lleshaj: “Lufta kundër kanabisit, prioritet për policinë e shtetit. Kanabisi në Shqipëri ka marrë goditje të rënda dhe të pakthyeshme. Viti 2020 do të shënojë po ashtu një hap të ri përshkallëzimi të përpjekjes së policisë në luftën kundër kanabisit. Për këtë arsye ka një plan të madh ndërinstitucional, të cilat janë të angazhuara që ky fenomen të çrrënjoset tërësish.” /abcnews.al/