Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dakos dhe ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.
Në seancën e së mërkurës Dako nuk ishte i pranishëm, ndërsa ai akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste. E para lidhet me dhënien e lejes në kundërshti me ligjin për ndërtimin e një pallati në Durrës dhe e dyta me përllogaritjen gabim të projektit për ndërtimin e vijës bregdetare.
Kujtojmë se më datë 8 prill, Apeli i Posaçëm la të pandryshuar masën e arrestit shtëpiak për Vangjush Dakon. SPAK kërkoi rikthimin në qeli të ish kryebashkiakut të Durrësit ndërsa gjykata e liroi pasi përfunduan afatet e paraburgimit.
Dako u arrestua qershorin e kaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dako u lirua nga qelia në shkurt me argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit për të. /abcnews.al