Gjirokastër, ekstremisti grek qëllon mbi policinë shqiptare

schedule12:14 - 28 Tetor, 2018

schedule 12:14 - 28 Tetor, 2018

Një 35 vjeçar në Gjirokatër sulmon policinë me armë zjarri dhe ia del të arratiset. Ngjarja ka ndodhur sot në fshatin Bularat, ndërsa policia vendore e mbështetur edhe nga efektivet e RENEA-s, janë vënë në ndjekje të tij. Kostandinos Kaçifa ishte kthyer prej një javë nga Greqia në fshatin e tij, ndërsa në rrjetet sociale bënte thirrje për rezistencë të minoritarëve në jug të vendit ndaj shtetit.

Në Gjirokastër policia është vënë në ndjekje të 35 vjeçarit Kostandin Kaçifa, që ka qëlluar me armë në ajër në fshatin Bularat, e më pas ka qëlluar edhe ndaj policisë, që tentoi ta ndalonte.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se ishin dëgjuar të shtëna në qendër të fshatit Bularat, ku do zhvillohej një aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Por me të parë uniformat blu që po i afroheshin, Kostandinos Kaçifa ka zbrazur një karrikator të tërë ndaj tyre nga një distancë vetëm 10 metra. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati efektivë të plagosur, por 4 prej plumbave kanë goditur, duke thyer xhamin e mjetit të policisë. Policia ka rrethuar menjëherë zonën, por 35 vjeçari ia ka dalë të largohej, duke u futur në thellësi të fshatit, efektivët “Shqiponja” po kryejnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Për të realizuar kapjen e Kaçifës, kanë shkuar me helikopter edhe forcat speciale Renea.
Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ishte kthyer prej rreth një jave në fshatin Bularat. Në profilin e tij në Facebook, Kaçifas ka shumë mesazhe ku bën thirrje për rezistencë të grekëve në jug të Shqipërisë, të cilët i quan “vorio-epiriotë”. Në njërin prej këtyre, të cilin e ka shkruar ditët e fundit Kaçifas shkruan: “Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa të zotët e shtëpisë. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore. Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”/abcnews.al

Përgatiti: Orges Sako, gazetar i ABC News, Gjirokastër

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!