Gjiknuri për projektet e transportit: Duhet të na mbështesë financiarisht KE

schedule15:59 - 20 Qershor, 2018

schedule 15:59 - 20 Qershor, 2018

Shqipërisë i nevojitet mbështetja financiare e Komisionit Evropian që të realizojë objektivat në fushën e transportit. Të vetëm nuk mund t’ia dalim deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

24 milionë euro do të shkojnë në fushën e transportit. Kjo shifër u bë publike në prezantimin e implementimit të Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planin e saj të Veprimit 2016-2020.

Damian Gjiknuri: “Që ne të realizojmë të gjitha objektivat dhe standardet aty ku e kërkojmë duhet një mbështetje financiare nga Komisioni Europian. Dhe prandaj dhe unë e them kudo që integrimi në Bashkimin Europian dhe progresi në këtë drejtim nuk është vetëm forcimi i institucioneve, nuk është vetëm një demokraci më e mirë dhe funksionale por mbi të gjitha krijon dhe një akses  për vende si Shqipëria që të kenë mundësi të adresojnë fondet e konsoliduara të BE që janë gjithmonë mënyra më e lirë për të financuar shumë nga objektet tona”.

Ministri Gjiknuri tha se janë aktualisht disa projekte të financuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian si ai i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas që ka hyrë në një fazë të përzgjedhjes së kontraktorit. Gjithashtu edhe ndërtimi i dy bypass-eve të Fierit dhe Vlorës pas ngërçit ka kaluar në fazën e rizhvillimit të garës, e cila ndodhet në hapat e fundit për të rinisur punën.

Damian Gjiknuri: “Ne kemi marrë një mbështetje financiare nga Komisioni Europian siç është ndërlidhja me Greqinë dhe me Maqedoninë si dhe rehabilitimi i gjithë hekurudhës në drejtim të Hanit të Hotit, pra kjo bën që Shqipëria të bëhet pjesë e rrjetit hekurudhor ndërkombëtar. Mbështetje do të kemi edhe me investimet që do të ndodhin shumë shpejt në portin e Durrësit, përfshirë edhe thellimin, por edhe investimet e BERZH-it për zgjerimin e kalatave aty do të bëjë të mundur që të rriten kapacitetet përpunuese”.

Një nga përfitimet e mbështetjes buxhetore nga programet IPA është ai i asistencës teknike për rritjen e kapaciteve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë përsa i takon çështjeve të Partneritetit Publik-Privat./abcnews.al