Gjiknuri për naftëtarët: Me prioritet punonjësit e Ballshit

schedule15:55 - 11 Prill, 2018

schedule 15:55 - 11 Prill, 2018

Punonjësit e rafinerisë së Ballshit janë të parët në listën e qeverisë për të marrë statusin e naftëtarit. 900 kërkesa janë pothuajse gati tha ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Damian Gjiknuri: “Ky proces po vazhdon, e di që mund të ketë pasur pak vonesa pasi kërkesat janë të shumta, ka mungesë dokumentacioni, por njëkohësisht ju them që mbi 900 kërkesa janë në përpunim e sipër dhe janë të gatshme. E kemi filluar nga Rafineria e Ballshit, pasi janë në kushte ekstreme dhe ajo industri ka qenë shumë në vështirësi dhe gati në mbyllje. Ata meritojnë një trajtim dhe këtu dua mirëkuptimin e të gjithë pjesës tjetër, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë me këtë proces me radhë për ta përfunduar në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të gjithë ata naftëtarë që u takon me statusin e naftëtarit ta marrin atë status. Në fillim e nisëm me Ballshin pasi ka një emergjencë sociale dhe që duhet adresuar nga qeveria në këtë drejtim”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi në Kuçovë një konferencë kushtuar 100 vjetorit të industrisë së naftës. Pusi i parë i kërkimit të naftës në Shqipëri filloi shpimin pikërisht 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës Amoretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike, që ata kishin kryer në vitin 1917.

Në aktivitetin e zhvilluar, Gjiknuri u ndal tek potencialet që ofron Shqipëria në fushën e kërkimit të naftës.

Damian Gjiknuri: “Jam i bindur, besoj dhe shpresoj që operacioni i SHELL të dalë me shumë sukses dhe patjetër Shqipëria do të rrisë prodhimin e saj dhe do të zgjojë interesin edhe të kompanive të tjera ndërkombëtare, një interes që tashmë është zgjuar”.

Ambasadori italian, Alberto Cutillo, tha se historia e naftës në Shqipëri është një tjetër nga shumë kapitujt të lidhjes mes dy vendeve tona. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë SHELL u shpreh gjithashtu i kënaqur që kjo kompani po bëhet pjesë e historisë së naftës në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!