Gjiknuri për “Gulf: Nuk është as rasti i parë e as i fundit që ndodh

schedule13:44 - 23 Prill, 2018

schedule 13:44 - 23 Prill, 2018

Për herë të parë ka folur Ministri i Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri për rastin e kompanisë së karburanteve GULF. Për ministrin Gjiknuri i takon prokurorisë dhe tatimeve të nxjerrin përfundimet e hetimeve të tyre.

Tregtia e karburanteve është e liberalizuar dhe ministia e industrisë dhe energjisë nuk ka asnjë lloj roli rregullator. Kështu është shprehur ministri Damian Gjiknuri për rastin e kompanisë Gulf të cilin nuk e quan as të parin e as të fundit që falimenton apo mashtron.

“Ministria nuk ka rol rregullator te kompania, tregtia e karburanteve është i liberalizuar, ministria ka vetëm kontrollin teknik të cilisësisë së produkteve. Nuk është rasti i parë që ka kompani që falimentojnë e mashtrojnë. Janë organet tatimore ato që po e ndjekin ecurinë e këtij procesi, shpresojmë që shumë shpejt përgjegjësit të dalin para drejtësisë”

Këtë deklaratë kreu i Ministrisë së Industrisë e bëri gjatë inaugurimit të godinës së drejtorisë rajonale të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Tiranë ku për herë të parë në vend do të monitorohen online kabinat e energjisë elektrike. Lajmin e dha administratori i OSHEE-së Ardian Çela.

“Me anë të kësaj teknologjie ne mund të operojmë shumë më shpejt dhe më mirë në rrjet, ulet numri i defekteve dhe ndërprerjeve, ruhen pajisjet nga defektet. Është një investim që i paraprin procesit SKABE që do të shtrihet në rrjet të gjerë”.

Tirana dhe Durrësi janë dy qytetet e para që nisin të zbatojnë këtë risi që parashikon të përmirësojë sistemin e furnizimit me energji. /abcnews.al