Gjiknuri në Sarandë: Rruga hyrëse do të përfundojë

schedule14:45 - 11 Mars, 2018

schedule 14:45 - 11 Mars, 2018

Hyrja e qytetit të Sarandës do të përfundojë para sezonit turisik. Lajmin e jep ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili njoftoi edhe fillimin e punimeve për rrugën Kardhiq-Delevinë.

Dy ministra të kabinetit qeveritar fundjavën ia dedikuan Sarandës. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dha një sihariq.

“Saranda është një qytet që gjithmonë do të ketë sihariqe sepse është një vend, ku turizmi ka zhvillim e padyshim mbetet në vëmendjen e qeverisë shqiptare. Rruga hyrëse e Sarandës do të përfundojë përpara sezonit turistik, duhet thënë se vonesat kanë ardhur për shkak se nuk ishin parashikuar fonde për vitin e kaluar. Janë marrë masat në buxhetin e këtij viti që ajo rrugë të përfundojë dhe të jetë funksionale tashmë me të gjitha parametrat e duhura”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri sqaroi se këtë vit do të fillojnë edhe punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë çka do ta afrojë qytetin e Sarandës edhe më shumë me Tiranën apo pjesën tjetër të vendit.

“Do të jetë kështu një impuls jashtëzakonisht i madh për gjithë aktivitetin turistik të Sarandës. Brenda pranverës do të përfundojmë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, një aeroport turistik që unë kam bindjen se do të jetë një nyje e rëndësishme që nuk do ti shërbejë vetëm Sarandës, por edhe Korfuzit pasi aty janë konsumuar të gjitha mundësitë për fluturim. Pse jo, kemi folur edhe për mundësinë e vazhdimit të investimeve për Portin e Sarandës në mënyrë që të zgjerohet kalata. Ky është një projekt që do të dojë disa vite pasi ka interes nga krocerat për të pasur Sarandën stacion të përditshëm gjatë sezonit turistik”, theksoi Gjiknuri.

Minstri i infrastrukturës dhe Energjisë shoqërohej edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, pasi inspektuan sëbashku Xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës. Kjo xhami po rikonstruktohet falë një bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Musliman./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!