Gjiknuri në impiantin e djegies së mbetjeve në Elbasan

schedule12:29 - 17 Mars, 2018

schedule 12:29 - 17 Mars, 2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ishte në Elbasan për të parë se si funksion impianti i mbetjeve. Ai ftoi çdo person skeptik, që ta vizitonte për të vërtetuar se nuk ka emetime dhe gjithçka është miqësore me mjedisin.

Ky është impianti i djegies së mbetjeve në Elbasan.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i tregon kritikëve të politikës se gjithçka funksionon ashtu siç duhet.

“Do të ishte mirë që kushdo që do të ishte i interesuar të vinte e ta vizitonte këtë impiant, ta shikonte me sytë e tij që nuk ka as emetime dhe gjithçka këtu është brenda një procesi teknologjik të mbyllur pa probleme për mjedisin. Pra, le të themi është fjala e fundit e teknologjisë, një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri”, insistoi Gjiknuri.

Aktualisht, në këtë impiant depozitojnë mbetjet e tyre urbane pa pagesë Bashkia e Elbasanit, ajo e Cërrikut dhe disa njësi administrative të qarkut. Kapaciteti i impiantit është më i madh dhe është llogaritur të mbulojë mbetjet e të gjitha bashkive të Qarkut Elbasan.

“Kuptohet, impianti ka nevojë për më shumë mbetje dhe kjo është një çështje që duhet ta trajtojnë bashkitë por edhe qeveria në terma afatgjatë, pasi problemi i mbetjeve do të jetë një problem serioz për Shqipërinë. Ajo çka duhet t’u imponojmë qytetarëve, por edhe autoriteteve që duhet të marrin masat është që mbetjet të grumbullohen aty ku duhet të grumbullohen dhe të depozitohen në këtë impiant që ka edhe anën tjetër pozitive që prodhon energji elektrike”, nënvizoi Gjiknuri.

Ministri sqaroi se një impiant i tillë është duke u ndërtuar në Bashkinë e Fierit, ndërsa edhe kryeqyteti do të ketë një impiant për të trajtuar mbetjet e veta urbane.

“Një gjë e ngjashme po ndërtohet në Bashkinë e Fierit për Qarkun e Fierit. Shumë shpejt edhe Tirana po avancon me procesin e saj, e cila është një kontratë krejt tjetër, pasi është një kontratë e marrë përsipër plotësisht nga partneri privat, ku bashkia paguan një kontribut financiar për volumin e mbetjeve që depozitohen aty”, u shpreh ministri.

Ministri Gjiknuri ftoi çdo person skeptik ndaj impianteve që të shohë nga afër këtë investim në Elbasan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!