Ish- drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika dhe dy zyrtarë të tjerë të këtij institucioni janë kallëzuar penalisht nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Një audit i Ministrisë në këtë institucion konstatoi shkelje të rënda dhe dëme financiare gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka kallëzuar penalisht ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika.
Shkak për këtë kallëzim mësohet të jetë bërë aksi rrugor Elbasan-Tiranë, ku janë investuar fonde të mëdha dhe sërish është në gjendje të papërshtatshme.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 54 milionë dollarëve. Përveç kësaj është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën mbi 16 milionë dollarë nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.
Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve: ish-Drejtorit te Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika, ish-Drejtorit te Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Drejtorit te Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Albens Alite.
Përmes kallëzimit, Ministria e Infrastruktures dhe energjise kërkon fillimin e ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, te kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë./abcnews.al