Gjici mbron Longon pas debatit në “Gol pas Goli”: Kridensi gjithmonë është “laçian”

schedule17:13 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 17:13 - 9 Dhjetor, 2021

Kukësi u mposht me rezultatin 2-1 nga Laçi në “Air Albania”, në një sfidë që ishte e luftuar deri në fund, por skuadra kurbinase doli me 3 pikë nga ky takim.

Verilindorëve iu anulua një gol nga sistemi VAR, humbën një penallti me Hilën që goditi traversën, episode këto që nxorën triunfues skuadrën e Mirel Josës.

Për “Supersport”, presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici i shfaq shumë i nervozuar, për episodin e golit të anuluar dhe për debatin që trajneri Longo kishte me të ftuarit në studio.

“Unë sapo hyra dhe pashë golin e anuluar, por nuk e kuptoj një gjë dhe më vjen shumë keq për profesor Memën, pasi ai gol aty nuk mund të anulohet kurrsesi, pasi nuk kishte asnjë element për faull. Po të ishte për Tiranën, Mema nuk do fliste kështu.

Kur jeni në studio aty, duhet të zhvisheni nga tifozllëku. Unë jam dakord me Memën, kur thotë që pësuam dy gola për gabime të mbrojtësve tanë, por të thuash që goli nuk është i rregullt, kjo më duket e tepërt. Lojtarët e Laçit kanë bërë mundje në zonë dhe nuk na dhanë penallti.

Kridensi gjithmonë është “laçjan” dhe janë tre arbitra që gjithmonë kështu na bëjnë kundër Laçit. Më vjen shumë keq që i përvisheni një trajneri të huaj në atë mënyrë, pasi ai nuk ka asnjë hall me mua dhe po bën shumë mirë punën e tij”, u shpreh Gjici.  /f.a/acbnews.al