Gjermania ka realizuar për herë të parë riatdhesimin e një shtetasi afgan pa precedent penal drejt Kabulit, në një fluturim ku ndodheshin edhe 30 persona të dënuar për vepra penale. Ky veprim shënon një precedent të ri në politikën gjermane të kthimeve, pas rikthimit të talebanëve në pushtet.
Fluturimi u nis nga aeroporti Leipzig/Halle me ndalesë në Trabzon të Turqisë, përpara se të mbërrinte në Kabul. Vendimi ka nxitur reagime të forta në Gjermani, ku rreth 260 protestues u mblodhën në aeroport për të kundërshtuar riatdhesimet, duke akuzuar qeverinë se po legjitimon regjimin taleban përmes marrëveshjeve administrative.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe opozita kanë kritikuar kontaktet e autoriteteve gjermane me përfaqësitë diplomatike afgane, të cilat tashmë kontrollohen nga talebanët. Sipas tyre, këto marrëveshje mund të hapin rrugën për riatdhesime të tjera.
Nga ana tjetër, Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë mohon çdo bashkëpunim politik me talebanët. Zëdhënësja Elena Singer deklaroi se kontaktet janë vetëm në nivel administrativ dhe synojnë ekskluzivisht lehtësimin e procedurave të kthimit, duke theksuar se qeveria gjermane nuk e njeh regjimin taleban si qeverinë legjitime të Afganistanit.


