Gjermania po përpiqet të bindë Francën për të dhënë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Këtë e ka bërë të ditur deputeti gjerman i CDU-së, Johann Wadephul në një intervistën për Deutsche Wellen.
Nëse Gjermania ka një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë, Franca është vendi që ka dyshime për këtë hap, krahas Holandës. Bundestagu pritet të konfirmojë të enjten çeljen e negociatave me Shqipërinë pas rekomandimit pozitiv për negociatat të grupit parlamentar konservator, CDU/CSU të shoqëruar me kushte.
Por qëndrimi i Francës mbetet skeptik. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkon që BE të reformohet më parë, pastaj të merret me zgjerimin. Por pala gjermane nuk është e këtij mendimi. Deputeti gjerman i CDU-së, Johann Ëadephul është shprehur për Deutsche Wellen, se Gjermania po punon për të bindur Francën në këtë drejtim.
“Ne po shpenzojmë shumë energji që të bindim miqtë tanë francezë që të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë”.
Deputeti konservator gjerman thekson gjithashtu se kërkesat e Gjermanisë ndaj Shqipërisë si kushte për negociatat nuk kanë ndryshuar.
“Megjithë vërejtjet kritike që kam bërë për Shqipërinë, dua të them në veçanti, se ne gjermanët dhe fraksioni i CDU/CSU-së gëzohemi që kemi kontakte miqësore me Shqipërinë, që Shqipëria është një vend mjaft miqësor ndaj Europës dhe ne duam që ta shoqërojmë pozitivisht atë në rrugën drejt Europës. Kjo nuk do të thotë, që i harrojmë kritikat që kemi”.
Edhe eurodeputeti gjerman, socialdemokrati Knut Fleckenstein nuk e përkrah qëndrimin pritës francez për negociatat. Ai i tha Deutsche Welles, se Franca ka rezerva, por ky është një argument i gabuar, sepse negociatat nuk zgjasin disa ditë, por me vite dhe në këtë kohë mund të kryhen reformat e nevojshme të BE-së për të pranuar vende të tjera./abcnews.al