Gjermania e Brazili luajnë duelin klasik në Berlin

schedule14:25 - 27 Mars, 2018

schedule 14:25 - 27 Mars, 2018

Vështirë të ketë sfidë më klasike në futboll sesa ajo Brazil-Gjermani. Dy skuadrat gjigande ndeshen në Berlin, për herë të parë që kur gjermanët fituan 7-1 ndaj brazilianëve në Botëror.

Ishte data 8 korrik, viti 2014. Arena “Estadio Mineirao” në qytetin Belo Horizonte, ndërsa rezultati i ndeshjes hyri menjëherë në histori: Gjermania 7, Brazili 1.

Kurrë më parë nuk kishte ndodhur diçka e tillë në një Kupë Bote, dhe sot, thuajse 4 vjet më vonë, brazilianët kanë shansin për një hakmarrje, sado të vogël.

Pesë herë kampionët e botës luajnë pikërisht përballë Gjermanisë, në një miqësore që zhvillohet në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, në orën 20:45.

Gjithë kombi I madh amerikanojugor kërkojnë pikërisht këtë, fshirjen e njollës më të rëndë të ekipit të tyre kombëtar.

Nuk dihet nëse yjet e sotëm të trajnerit Tite do t’ia dalin, por e sigurt është që do ta provojnë.

Tite: “Jemi përgatitur që të zhvillojmë një lojë sa më të mirë, në një ndeshje të madhe, por edhe rezultati ka rëndësi. Për këtë arsye, ne duam një rezultat pozitiv. Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, një nga më të fortët në botë, që jo vetëm luan futboll të nivelit më të lartë, por edhe ka vazhdimësi në rezultate. Askush nuk mund ta harrojë humbjen 1-7 që pësuam në Botëror, dhe sa më shumë të flitet për të, aq më shumë ajo fiksohet në mendje. Ajo humbje është si një fantazmë, një plagë e hapur dhe ndeshja e Berlinit është një hap drejt shërimit të saj”.

Gjermania, ndërkaq, mbetet përsëri Gjermania.

Trajneri Joakim Lëv ka luksin e shumë zgjedhjeve, ndërsa publiku është plotësisht I kënaqur.

Trofeu i Kupës së Botës, fituar në Rio de Zhaneiro, u soll përsëri në shtëpi, me tifozët të lumtur dhe optimistë se skuadra e tyre kombëtare do të jetë protagoniste e madhe edhe në Rusi.

Ekipi u stërvit i qetë në kryeqytet, ndonëse Lëv dhe të besuarit e tij e dinë se ndaj Brazilit kurrë nuk mund të jetë e lehtë, pavarësisht asaj që ndodhi në Belo Horizonte.

Lëv: “Të luash ndaj Brazilit është një kënaqësi dhe një sfidë e madhe. Gjithsesi, kjo ndeshje për ne vlen sidomos si përgatitje për Kupën e Botës, ndaj mendoj të provoj mjaft lojtarë të rinj. Brazili, ndoshta, e mendon si hakmarrje, por kjo nuk mund të bëhet pasi nuk mund të kthehet pas ajo që ndodhi atëherë. Gjithsesi, Brazili ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë, është bërë më i fortë në sulm dhe në mbrojtje. Trajneri Tite ka qenë i suksesshëm duke e bërë ekipin më të stabilizuar, madje edhe lojtarë si Nejmar apo Kutinjo, punojnë shumë në mbrojtje”.

Eksperimentet e Lëvit pritet të jenë vërtet radikale.

Do të provohen portieri Leno, lojtari i krahut Platenhart, si dhe Brant, Gorecka, Sane e Vagner.

Sebastian Rudi mund të luajë në vend të Sami Kedirës, ndërsa futbollisti i Bajernit, Zyle, pritet të jetë titullar në mbrojtje.

Mesut Ozil dhe Tomas Myler mungojnë për shkak dëmtimi, ashtu si portieri Nojer, dhe vetëm Boateng apo Kros mbeten nga skuadra që fitoi Kupën e Botës në Brazil 4 vjet më parë.

Brazili duket më i kolauduar, edhe pse Nejmar do të mungojë, padyshim.

Ederson i Sitit do të jetë në portë, po ashtu emrat e tjerë janë të njohur si Dani Alvesh, Tiago Silva, Markinjos, Marselo, Kasemiro, Paulinjo, Kutinjo, Firmino apo Uillian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!