Gjata në “ABC News”: Kemi 460 shtretër në dispozicion për të prekurit nga koronavirusi

schedule17:54 - 16 Mars, 2020

schedule 17:54 - 16 Mars, 2020

I ftuar në “ABC News”, Koordinator Kombëtar i Task Forcës për Burimet Njerezore, Arben Gjata ka folur për situatën e krijuar për shkak të koronavirusit. Ai shpjegoi mundësitë e përballimit të situatës nga spitalet tona në rast se do të kemi një përshkallëzim të situatës.

Përballë gazetarit Endri Xhafo, Gjata foli mbi kapacitetet e spitaleve dhe se si do të vijojë procesi i vendosjes së pacientëve në rast të rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus.

Të prekurit nga koronavirusi që kanë nevojë për shtrim, tani po vendosen tek Infektivi që ka 100 deri në 120 shtretër, ndërsa në rast të përshkallëzimit të situatës, 140 shtretër janë në dispozicion në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Gjithashtu Gjata sqaroi se nëse sërish do të ketë nevojë janë 100 shtretëe në në dispozicion në ish-Urgjencën në QSUT si dhe 100 të tjerë tek Spitali Amerikan.

“Shifra e respiratorëve që ka Shqipëria sot është mbi 190. Pritet që të vijnë respiratorë të tjerë. 25 deri 28 respiratorë do të jenë në funksion te Spitali Infektiv i cili ka rreth 120 shtretër do të kthehet i pari me COVID-19.

“Nëse kalohen kapacitetet është parashikuar spitali “Shefqet Ndroqi”, gjithashtu është parashikuar ish-kirugjia 2 dhe 3 të kthehen në spitale COVID-19″, sqaroi Gjata.

 Nëse këto hapësira do të jenë të pamjaftueshme do të krijohet mundësia te “Spitali Amerikan”, ku një nga godinat do të jetë në shërbim të pacientëve.

Te kirurgjitë duhen rregulluar vetëm disa aksesorë, por edhe kirurgjitë e reja nuk do të bëjnë më kirurgji, por do të përdoren për pacientët COVID-19″.

Më tej Gjata u shpreh se sot ka mjekë që janë duke punuar edhe pse në moshë pensioni.

“Shpresoj që masat e marra të jenë të mjaftueshme. Gjithë kirurgjia urgjente dhe e planifikuar do të kalojë te Spitali Ushtarak.

Pandeminë e shpall OBSH. Ne jemi në fillimet e epidemisë në Shqipëri. Ne duhet të marrim masa në maksimun që të jemi gati nëse na vjen epidemia. Nëse do të qëndrojmë sipas shifrave të OBSH një epidemi quhet kur prek gati 10 % të popullatës. Meqënëse kjo ka një pjesë të fshehur të rasteve mund të presin nëse shkon 1 deri në 2 % të popullatës, quhet epidemi.

80 % e rasteve nuk japin asnjë shenjë klinike. Rastet e diagnostikuara duhet ti shumëzosh me 5 për të llogaritur afërsisht sa mund të jetë numri i të prekurve.

Shumë shpejt do të trajnohen të gjithë mjekët e familjes, do të bëhen publike të gjithë numrat e telefonave.

Parimi i parë në këtë sëmundje është se nëse nuk mbrohet stafi mjekësor do të humbin njerëz në shërbim.

Është propozuar që konsultat për të sëmurët kronik të bëhen nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes”, tha Gjata.

Spitalet dhe shtretërit në dispozicion nëse rëndohet situata: 

100-120 shtretër në Spitalin e Infektivit

140 shtretër në spitalin “Shefqet Ndroqi”

100 shtretër tek ish-Urgjenca në QSUT

100 shtretër tek Spitali Amerikan

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!