Gjadri, “Republikë” italiane/ Protokolli: Ligji shqiptar asnjë veprim në dy kampet. Gjithçka në dorë të Romës

schedule15:19 - 9 Nëntor, 2023

schedule 15:19 - 9 Nëntor, 2023

Protokolli i nënshkruar mes kryeministrave Rama dhe Meloni deklaron që në fillim të tij se menaxhimi i flukseve migratore nga vendet e treta do të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi në një moment kur palët do të bien dakord, kohë e cila nuk është përcaktuar në këtë marrëveshje. Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet me të drejtë rinovimi.
Secila palë mund të tërhiqet, por duhet të njoftojë me shkrim 6 muaj përpara, por kjo mund të ndodhë vetëm pasi të ketë kaluar një vit nga hyrja në fuqi.

Numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar në këtë format nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 veta.
Shqipëria do t’i japë falas Italisë disa zona për të ngritur qendrat ku do të mbahen refugjatët.

Mandej vendi ynë nuk do të paguajë asgjë që duhet për këta refugjatë, ndërkohë Italia do të ketë lehtësi doganore, përjashtim nga taksat e burokracitë për ngritjen e qendrave si dhe stafi i tyre do të ketë një lloj imuniteti të ngjashëm me atë të diplomatëve.
Është përgjegjësi e autoritetet italiane të ruajnë sigurinë brenda zonave. Pala shqiptare ruan rendin jashtë ambienteve dhe gjatë transportit të migrantëve.

Italianët nuk duhet t’i lejojnë refugjatët të dalin nga qendrat e trajtimit, por nëse kjo ndodh, policia shqiptare do t’i kthejë në kamp.
Marrëveshja specifikon disa herë, strukturat do të menaxhohen nga Italia, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian dhe të gjitha mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet autoriteteve italiane dhe emigrantëve që do të akomodohen në këto struktura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian.

Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve të strehuar në këto struktura, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të.

Marrëveshja thotë se autoritetet italiane, në përfundim të procedurave të kryera në përputhje me legjislacionin italian, do të kryejnë largimin e migrantëve nga territori shqiptar.

Këtu u mbaron protokolli, nis pikëpyetja: ku shkojnë në fund këta emigrantë?

Për ku i përcjell Italia ata të cilëve do t’ju refuzohet kërkesa për azil apo mbrojtje?/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!