Gërvalla: Ballkani i Hapur, vegël e Serbisë, s’kemi pas ftesë zyrtare për t’iu bashkuar

schedule11:22 - 30 Nëntor, 2021

schedule 11:22 - 30 Nëntor, 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që të marrë pjesë në iniciativa si “Ballkani i Hapur”.

Në Komisionin për Punë të Jashtme, Gërvalla tha se Kosova nuk kërkon alternativa ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Si Republikë e Kosovës jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojmë alternativa ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe as nuk kemi nevojë për alternativa të cilat janë më shumë fjalë goje sesa oferta serioze të asaj që filloi si iniciativë e Novi Sadit, vazhdoi si Mini-Schengen. Ta shohim kur të takohen herën e ardhshme tre inicuesit e saj cilin emër do ta marrë Ballkani i Hapur”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja tha se Kosova asnjëherë nuk ka marrë ftesë zyrtare për t’iu bashkuar kësaj iniciative.

“Republika e Kosovës në asnjë moment të caktuar nuk ka marrë asnjë përshkrim të vetëm të shkurtër apo të gjatë se çfarë është iniciativa “Open Balkan”. Asnjëherë Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për të qenë e pranishme, përveç prononcimeve publike që i kemi dëgjuar, prandaj pozicionimi ynë është shumë i qartë”, tha Gërvalla.

Sipas Gërvallës, “Ballkani i Hapur” do të ishte vegël që Serbia do ta përdorte kundër Kosovës.

“‘Open Balkan’, ashtu siç e shohim ne në këtë moment, është një iniciativë për ta hequr vëmendjen nga Procesi i Berlinit dhe është një mekanizëm që Serbia kërkon ta ketë në dorë për ta penguar Kosovën drejt integrimeve rajonale”, tha ministrja Gërvalla./Express