Piktori Gazmend Leka sjell autoportretin intim të artistit përmes 24 pikturave. Ekspozita “ Lutja” është një shtegtim mes jetës dhe vdekjes. Leka gjithnjë e ka konsideruar pikturën si një akt të gjatë lutjeje.
Të shijosh një ekspozitë në galeri është thjeshtë kënaqësi që ndjen ose jo përballë të bukurës. Tablot mund të jenë një seri portretesh, peisazhesh, kolazhesh të krijuara me gjuhë të drejtpërdrejtë apo përmes metaforave dhe abstraksionit. Piktori i njohur Gazmend Leka, ka preferuar ta çojë spektatorin më tej, drejt vuajtjeve të murgut, që për fe kanë artin.
Lutja e tij nuk është e lehtë, pasi ai pasqyron me gjuhën e pikturës, kontrastin e fortë jetë-vdekje të artistit. Gazi përmes pikturës nxjerr frikën ndaj vdekjes, ku ai e sjell përmes metaforës edhe veten në grykë të varrit edhe pse kur e kujton mbyll syte dhe dridhet frikë.
Kuratori Ermir Hoxha thotë se ekspozita është ndërtuar ashtu siç nis procesi krijues i Gazmend Lekës. Ekspozita e piktorit Gazmend Leka do të qëndroë e hapur ne galerinë FAB deri në fund të Tetorit.
“Lutja” përmes 24 pikturash në galerinë FAB i dedikohet një heshtjeje të madhe që është procesi krijues. Tablotë ku në qendër është vetë uni i artistit përcjellin vegime imagjinare, shpirtërore, e si qendër kanë metaforën e vdekjes së artistit./abcnews.al