Gazetarët kundër paketës anti-shpifje, reagim përmes protestave dhe takime me ambasadorët

schedule17:40 - 13 Dhjetor, 2019

schedule 17:40 - 13 Dhjetor, 2019

Gazetarët do të vijojnë betejën kundër qeverisë me synimin tërheqjen e dy projektligjeve të paketës së anti-shpifjes.

Përfaqësuesit e medias u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët ku vendosën që në ditët në vijim të dalin me një  plan konkret për të kundërshtuar paketën anti-shpifjes, duke filluar nga protesta para Parlamentit, takime me ambasadorët në Tiranë dhe ankimin në Gjykatë Kushtetuese, në rast se parlamenti miraton dy ligjet në datën 19 dhjetor, siç ka deklaruar kryeministri.

Gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave njëzëri vendosën të reagojnë në forma të ndryshme për të detyruar qeverinë dhe Kuvendin të tërheqin dy projektligjet e paketës Anti-shpifje, që prekin drejtpërdrejtë mediat.

Për gazetarin Enton Abilekaj mediat ndodhen aktualisht  në momentin më të vështirë që prej në Shqipëri u vendos pluralizmi politikë.

Organizatat e huaja mes të cilave dhe OSBE, Abilekaj kërkoi te mos jenë vetëm deklarative por të marrin pozicionim më të fortë kudër dy ligjeve, ai për komunikimet elektronike dhe për Mediat audiovizive.

“Këtu kemi të bëjmë me një grupim që luftojnë të jenë mediatorët mes qeverisë dhe publikut, duan ta luajnë këtë rol në momentin më të vështirë. I vetmi njeri që mund ta bënte është ky kryeministër që kemi sot. Sado ëndrra diktatorësh që mund të kenë patur të gjithë kryeministrat, nuk e kanë bërë këtë. Ne duhet ti kërkojmë ambasadorëve të Bashkimit evropian, këshillit të Evropës dhe OSBE të jenë ultimativ, ata nuk mund të lajnë gojën me një deklaratë”.

Gazetari Ylli Rakipi parashikon pasoja aspak të mira për mediat, në rast se paketa e iniciuar prej kryeministrit Rama votohet në parlament.

“Në kohën e Hoxhës ne nuk kishim ligjin por urdhrin administrativ. E lëshonin urdhrin këta AKEP apo  çfarë quheshin në atë kohë, nxirrnin urdhrin administrativ dhe merreshin të gjitha vendimet e shtetit të diktaturës, e njëjta gjë po ndodh tani”.

Ndërsa profesor Mark Marku identifikoi vetëm një agjensi, që sipas tij dezinformon dhe shpif.

“Agjensia që shpif më shumë, që prodhon më shumë dezinformim në Shqipëri është qeveria, dhe e bën këtë me taksat tona. Kjo qeveri që është agjencia më dezinformuese në Shqipëri”.

Gazetarët në deklaratën e përbashkët dalin në konkluzionin se AMA dhe AKEP transformohen në polici dhe agjensi përmbarimore, që sipas tyre përbëjnë një akt të paprecedentë në botën demokratike.

Ditën e hënë shoqatat dhe gazetarët do të prezantojnë të gjitha format e reagimit kundër anti-shpifjes, duke nisur nga protestat, tek takimet me ambasadorët dhe thirrjen ndaj Presidentit për të mos e dekretuar në rast se Kuvendi i jep kartonin jeshil, në seancën e 19 dhjetorit, në një kohë që kryeministri Rama ka deklaruar se paketa votohet në datën 19 dhjetori në parlament./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!