Gati ndryshimi i akuzës, sa vite burg rrezikon polici që vrau Klodian Rashën

schedule12:03 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 12:03 - 16 Dhjetor, 2020

Prokuroria e Tiranës njoftoi dje se bazuar te hetimet për vrasjen e Klodian Rashës do të ketë një rikualifikim të veprës penale kundër efektivit Nevaldo Hajdaraj. Fillimisht polici u akuzua për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes, por pasi grupi hetimor u njoh me pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e tjera njoftoi do të ketë ndryshim të veprës penale, që pritet që të bëhet vrasje me dashje.

Vepra penale ende nuk është zyrtarizuar, pasi pritet zgjidhja e enigmës së vetme, armës që u gjet disa metra nga vendi ku u ekzekutua Klodian Rasha dhe rrethanat. E ndërsa me akuzën e parë, tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes efektivi rrezikonte deri në 7 vite burg, nëse vepra penale ndryshon dhe bëhet vrasje me dashje rrezikon 10-20 vite heqje lirie.

 

Prokuroria siguroi dje se shumë shpejt do të dalë në përfundime, pasi hetimet janë drejt fundit, ndërsa theksoi se nuk ka pasur konflikt fizik dhe se i riu nuk është dhunuar nga efektivi para ekzekutimit. Klodian Rasha u vra në rrugën pranë shtëpisë në datë 8 dhjetor, ndërsa ngjarja u pasua nga protesta të shuma dhe dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj./ db/Abcnews.al